Gjykata lëshon urdhër për paraqitjen e Kurtit me 4 mars në Prokurorinë Speciale

E publikuar: 28/02/2025 17:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar urdhër, me të cilin e obligon kryeministrin Albin Kurti, që të paraqitet për dëshmi pranë Prokurorisë Speciale më 4 mars, në orën 10:00.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi.

Kurti do të intervistohet në cilësinë e dëshmitarit, lidhur me skandalin e Rezervës Shtetërore.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me Urdhër të gjykatës të datës 21.02.2025 ka obliguar dëshmitarin A.K. që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, ka thënë Gashi për Reporteri.

Ajo ka bërë me dije se kanë pranuar edhe përgjigjen e Zyrës së Kurtit për këtë urdhër.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 28.02.2025, përmes emalit ka pranuar përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit, lidhur me Urdhrin e lartë – theksuar të gjykatës”, thuhet në përgjigje.