Katër persona janë në pranga për vrasjen e 17-vjeçarit Adrit Gjoklaj, të riut që jetonte në Kombinat me familjen e tij e që u gjet i pajetë në mesin e mbeturinave në landfillin e Sharrës, aty ku kishte shkuar të punonte për të hequr shpenzimet e shkollës.
Besnik Braha përgjegjës firme; Edmond Kollari, drejtues ekskavatori; Dëfrim Hakrama, përgjegjës turni dhe Bujar Daja, përgjegjës i punonjësve, janë të arrestuar nga policia, ndërsa Edurim Teqja administrator i firmës “3 K sh.p.k.” është shpallur në kërkim.
Burime nga grupi i hetimit thanë për “Panorama” se katër personat e akuzuar janë marrë në pyetje në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
“Nuk e njohim personin që u gjet i vdekur në landfill dhe nuk e kemi idenë si ka hyrë aty”, kanë thënë të arrestuarit, duke shfrytëzuar mesa duket faktin se i riu nuk ishte i regjistruar e i deklaruar në punë.