Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që gjykimi në mungesë të vazhdojë ndaj 21 të akuzuarve për krime lufte në masakrën e Reçakut, pasi konstatoi se janë përmbushur kushtet ligjore dhe se janë bërë përpjekje të mjaftueshme për sigurimin e pranisë së tyre, raporton Ekonomia Online.
Prokurori Special, Ilir Morina, tha se para ngritjes së aktakuzës në mungesë janë plotësuar të gjitha kushtet e parapara me ligj.
“Parashihen kushtet ligjore të cilat duhet të plotësohen para se të ngrihet aktakuza në mungesë dhe ato kushte janë thirrja, urdhërarresti, kërkimi i adresës së të pandehurve në territorin e Kosovës dhe fletarrestimi kombëtar dhe ndërkombëtar. Në rastin konkret, prokurori i ka plotësuar këto kushte për ngritjen e aktakuzës në mungesë. Në këtë drejtim, ne kemi dërguar gjatë vitit 2021, përmes ndihmës juridike ndërkombëtare, mbi bazën e një ligji i cili në atë kohë ka qenë në fuqi, por nuk kemi pranuar asnjë përgjigje. Në bazë të kësaj, gjyqtari i procedurës paraprake ka lëshuar urdhërarrest për të pandehurit. Kushti i tretë është kërkimi i adresës dhe nga raporti i Policisë rrjedh që asnjëri nga të pandehurit nuk gjendet në adresat e kohës së paraluftës ku kanë jetuar dhe në territorin e Kosovës… Në bazë të faktit që katër kushtet janë plotësuar, prokurori ka ngritur aktakuzë në mungesë”, tha ai.
Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Violeta Namani-Hajra, tha se gjykata ka ndërmarrë të gjitha veprimet për njoftimin dhe sigurimin e pranisë së të akuzuarve, por pa sukses.
“Nuk prezentojnë të pandehurit e lartcekur, për të cilët Gjykata Themelore në Prishtinë, me qëllim të përmbushjes së obligimeve, ka ndërmarrë veprime si në vijim: në ueb-faqen e Gjykatës Themelore në Prishtinë, më datë 20.05.2026, në ueb-faqen e Prokurorisë së Shtetit dhe në Gazetën Zyrtare të Kosovës, me datën e njëjtë, u publikua njoftimi për mbajtjen e kësaj seance, si dhe ftesa për këtë seancë, aktakuza dhe thirrja për të gjithë personat që mund të kenë informata për vendndodhjen e të pandehurve që ta njoftojnë Policinë e Kosovës”, tha ajo.
Ajo shtoi se gjykata ka kërkuar informacione edhe nga zyrat komunale për komunitete, si dhe nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd, por nuk ka arritur të sigurojë vendndodhjen e të akuzuarve.
“Veprime të tjera të ndërmarra, përveç kërkesave për sigurimin e adresave dhe njoftimit, i jemi drejtuar zyrave për komunitete të komunave Shtërpcë, Shtime, Kamenicë, Hani i Elezit dhe Ferizaj, në të cilat komuna disa nga të pandehurit e lartcekur kanë pasur vendbanimin e tyre të fundit. Kanë kthyer përgjigje për të pandehurit se në kërkesën e cekur në kërkesat e gjykatës nuk kanë informacione për vendndodhjen e tyre. Ndërsa zyrat për komunitete në Han të Elezit dhe Shtime nuk kanë ofruar informacione për t’iu përgjigjur kërkesës së gjykatës. Përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme, për Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës me seli në Beograd, është paraqitur kërkesë për sigurimin e adresave që sipas të dhënave kanë adresë në Serbi. Kemi kërkuar të dhëna apo mundësi kontakti me të njëjtit me qëllim që t’u përcillet të pandehurve se është duke u mbajtur seanca, si dhe njoftimi për seancën që të sigurohet prania e tyre. Deri në këto momente nuk kemi përgjigje nga MPJD. Si përfundim, meqenëse nuk prezentojnë të pandehurit e lartcekur dhe kemi të bëjmë me krime lufte, erdhëm në përfundim që gjykimi në mungesë mund të mbahet, pasi gjykata u bind se në rastin konkret janë bërë përpjekje të mjaftueshme për t’i siguruar të pandehurit. Gjykata merr aktvendim: mbahet gjykimi në mungesë ndaj të akuzuarve të lartcekur, pasi janë përmbushur kushtet ligjore”, tha ajo.
Më pas, prokurori special Ilir Morina lexoi aktakuzën, sipas së cilës 21 të akuzuarit, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë dhe forcave policore serbe, akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë viteve 1998-1999 në Reçak të Shtimes.
“Në periudhën 1998-1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në fshatin Reçak, Komuna e Shtimes, me dashje, në bashkëkryerje dhe individualisht dhe në përgjegjësinë komanduese, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës ‘243 të Mekanizuar’, Armatës së III-të e quajtur ‘Korpusi i Prishtinës’, dhe si pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP), në të cilën bënin pjesë: Njësitë e Veçanta të Policisë të njohura si ‘PJP’, Njësitë Speciale Antiterroriste të njohura si ‘SAJ’, Njësitë e Divizionit për Siguri Shtetërore të njohura si ‘RDB’, Njësitë e Divizionit për Siguri Publike të njohura si ‘RJB’ dhe Njësitë Rezervë”, tha ai.
Prokurori lexoi emrat dhe funksionet e të gjithë 21 të akuzuarve, përfshirë ish-zyrtarë të lartë të MUP-it, komandantë të ushtrisë dhe policisë serbe, si dhe pjesëtarë të njësive speciale dhe rezervë.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit akuzohen se kanë kryer vrasje, trajtim çnjerëzor dhe shkatërrim të pasurisë civile gjatë operacionit në Reçak më 15 janar 1999.
“Kanë shkelur rëndë të drejtat elementare duke kryer vrasje, trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë në atë mënyrë që në një vrasje me datë 15 janar 1999, në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes, të pandehurit në cilësinë e pjesëtarëve të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dashje dhe në bashkëkryerje, morën pjesë dhe kontribuan në vrasjen e 42 civilëve të fshatit Reçak. Rreth orës 06:00 të mëngjesit e rrethuan fshatin Reçak, fillimisht granatuan nga distanca prej vendeve të njohura si ‘Pishat’, ‘Gështenjat’, ‘Çesta’ dhe ‘Guri i Shpum’, pastaj me automjete të blinduara hynë në fshat dhe filluan të kontrollonin shtëpi për shtëpi. Me këtë rast, në oborrin e shtëpisë së Rashit Rashitit fillimisht e vrasin Banush Kamerin, të cilit pastaj ia presin kokën, kurse në vendin e quajtur ‘Vrella’, i vrasin Haki Metushin, Sabri Sylën dhe Arif Metushin. Në oborrin e shtëpisë së tij e vrasin Ahmet Mustafën dhe fqinjin e tij, Hajriz Jakupin. E në afërsi të shtëpisë së Zyk Mustafës, i vrasin Skender Halilin dhe Hanumshahe Mujotën. Vazhduan në drejtim të lagjes ‘Beqaj’, dhe derisa disa civilë po largoheshin në drejtim të malit, u del në pritë policia serbe e cila pa paralajmërim shtie në drejtim të tyre, duke vrarë: Halim Beqirin, Riza Beqirin dhe Zenel Beqirin, kurse mbetën të plagosur: Aziz Beqiri, Zuhra Beqiri dhe Fetije Beqiri. Në vazhdim të operacionit policor e ushtarak, të akuzuarit hynë në lagjen ‘Emini’, e cila gjendej në pjesën perëndimore të fshatit, ku me armë zjarri në oborrin e tij e plagosën në këmbë Ismet Eminin dhe vranë vëllanë e tij, Ajet Eminin, që të dy civilë. Më pas, në vendin e quajtur ‘Çeshma’ i vranë civilët Bajram Mehmeti, vajzën e tij Hanumshahe Mehmetin, ndërsa të plagosur mbetën Elhami Mehmeti, Makfirete Hajrizi, Florije Hajrizi dhe Hasan Bilalli”, tha ai.
Pas leximit të aktakuzës, gjyqtarja Namani-Hajra tha se, për shkak se të akuzuarit gjykohen në mungesë, deklarimet për fajësinë nuk mund të merren në këtë fazë të procedurës.
“Nuk mund të kemi deklarime në lidhje me fajësinë, pasi interesat e të pandehurve do të përfaqësohen nga avokatët e pranishëm në sallë. Udhëzon mbrojtësit e të pandehurve që brenda afatit prej 30 ditësh t’ia paraqesin kësaj gjykate kërkesën për kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hedhjen e aktakuzës”, tha ajo.



























