Gjykata ia anuloi tarifat, Trump do të vendosë tarifë globale prej 10 për qind

E publikuar: 20/02/2026 22:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti amerikan, Donald Trump, u zotua se do të vendosë një tarifë prej 10 për qind ndaj të gjitha importeve në Shtetet e Bashkuara, pasi Gjykata Supreme tha se ai kishte tejkaluar autoritetin e tij kur vendosi një sërë tarifash që tronditën tregtinë globale.

Gjykata Supreme, me shumicë konservatore, vendosi me rezultat gjashtë me tre, duke theksuar në aktgjykim se Ligji për fuqitë ndërkombëtare ekonomike në raste emergjente (IEEPA) “nuk e autorizon presidentin që të vendosë tarifa”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, u zotua se do të vendosë një tarifë prej 10 për qind ndaj të gjitha importeve në Shtetet e Bashkuara, pasi Gjykata Supreme tha se ai kishte tejkaluar autoritetin e tij kur vendosi një sërë tarifash që tronditën tregtinë globale.

Trup, që ka nominuar dy nga gjyqtarët që vendosën kundër tij, u përgjigj ashpër, duke pretenduar se Supremja u ndikua nga interesa të huaja.

“Më vjen turp për disa anëtarë të gjykatës, absolutisht më vjen turp, që nuk kishin kurajë për të bërë gjënë e duhur për shtetin tonë”, tha ai për gazetarët.

Udhëheqësi amerikan tha se do të përdorë një autoritet tjetër për të vendosur tarifën prej 10 për qind ndaj të gjitha importeve.

“Në mënyrë që të mbrojmë shtetin tonë, një president mund të vendosë më shumë tarifa, siç vendosja në të kaluarën”, tha ai, duke insistuar se vendimi i Supremes në fakt i ka dhënë “më shumë fuqi”.

Çfarë tha Gjykata Supreme e SHBA-së?

Gjykata Supreme amerikane ka vendosur që presidenti amerikan, Donald Trump, ka tejkaluar autoritetin e tij kur ka vendosur një sërë tarifash.

Gjykata Supreme, me shumicë konservatore, tha në aktgjykim se Ligji për fuqitë ndërkombëtare ekonomike në raste emergjente (IEEPA) “nuk e autorizon presidentin që të vendosë tarifa”.

Trump ka nisur vendosjen e tarifave të gjera pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar, duke vendosur detyrime të reja doganore ndaj pothuajse të gjithë partnerëve tregtarë të SHBA-së.

Këto përfshinin tarifa “reciproke” për praktikat tregtare që Uashingtoni i konsideron si të padrejta. Me tarifë të tillë reciproke prej 10 për qind u godit edhe Kosova, por edhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor – disa edhe me tarifa më të larta.

Më 1 gusht, Kosova hoqi tarifën ndaj mallrave amerikane prej 10 për qind.

Po ashtu, SHBA-ja vendosi tarifa të veçanta ndaj partnerëve të mëdhenj të saj si Meksika, Kanadaja e Kina, për shkak të kontrabandës së drogës dhe emigracionit.

Gjykata në vendimin e saj tha se “nëse Kongresi do të kishte për qëllim t’i jepte kompetencë të veçantë për të vendosur tarifa” përmes IEEPA-së, “do ta kishte bërë këtë, ashtu siç ka vepruar vazhdimisht në ligje të tjera për tarifat”.

Ky vendim nuk ndikon në detyrimet specifike për sektorë të caktuar që Trump ka vendosur ndaras tarifa për importet e çelikut, aluminit dhe mallrave të tjera.

Tre gjyqtarë liberalë, iu bashkuan tre gjykatësve të tjerë konservatorë për të vendosur për tarifat, duke mbajtur në fuqi vendimet e gjykatave më të ulëta që vendosën se tarifat e vendosura nga Trump nën IEEPA-në ishin të paligjshme.

Kryegjykatësi John Roberts, gjatë njoftimit të vendimit tha se “IEEPA-ja nuk ka asnjë referencë për tarifat apo detyrimet doganore”.

Në majin e vitit të kaluar, një gjykatë më e ulët tregtare kishte vendosur se Trump kishte tejkaluar autoritetin e tij kur vendosi tarifa të gjera, por vendimi nuk është zbatuar pasi Qeveria kishte njoftuar se do ta apelojë.