Gjykata cakton paraburgim për gjashtë të dyshuarit për vrasjen e policit Muhamed Lika

E publikuar: 22/04/2025 17:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve H.B., R.M., V.Ç., E.L., Sh.K., dhe D.G., të cilët dyshohen për kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, sipas nenit 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.9 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të gjykatës, pas seancës dëgjimore dhe shqyrtimit të provave, është vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se më 1 prill 2025, rreth orës 23:00 në Kaçanik, të pandehurit kanë vepruar me planifikim paraprak për të privuar nga jeta rreshterin e Policisë së Kosovës, M.L., i cili shërbente në Stacionin Policor në Kaçanik.

Prokuroria thekson se pas përfundimit të orarit të punës, viktima është përcjellë nga të pandehurit deri në hyrje të banesës së tij, ku më pas është qëlluar me armë zjarri nga një person i mitur, i cili kishte bashkëpunuar me të pandehurit.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 mm.

Viktima ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra, ndërsa i mituri është larguar nga vendi i ngjarjes ku është takuar me të pandehurin R.M.

Nga hetimet paraprake dhe pamjet e kamerave të sigurisë, rezulton se secili prej të pandehurve ka pasur një rol aktiv në këtë ngjarje, që nga përcjellja e viktimës e deri te ndihmesa për autorin e dyshuar të vrasjes për t’u larguar dhe fshehur.

Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, për shkak të rrezikut të ndikimit në dëshmitarë, prishjes së provave dhe ikjes nga drejtësia.

Të pandehurve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Sipas aktvendimit të gjykatës, ankesa kundër këtij vendimi nuk e pezullon ekzekutimin e tij.