Gjuriq në Deçan: Serbia bën marrëveshje për të mbetur në Kosovë

E publikuar: 24/11/2015 18:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq ka deklaruar sot se marrëveshjet që Serbia i arrin, nuk janë shprehje e dobësisë, por këmbëngulje që ajo të mbetet në Kosovë me popullin dhe kishën e vet.

Gjuriq në Deçan ka thënë, njofton Blic i Beogradit, se vetëm me dorë të zgjatur, me dashurinë e krishterë, me vendosmëri e këmbëngulje, mund të luftojmë kundër padrejtësive që na bëhen, transmeton Koha.net.

Ai ka theksuar se shqiptarët në Kosovë duhet të jenë të vetëdijshëm se kemi të ardhme vetëm njëri pranë tjetrit dhe se duhet përkrahur ata politikanë dhe ato elita politike që nuk dërgojnë në drejtim të konflikteve, por drejt komunikimit normal dhe marrëdhënieve normale.

“Nuk do ta gjeni askënd në mesin tonë të hedhë gur i pari, por nuk do ta gjeni askënd në mesin tonë që do të heshtë dhe do të durojë padrejtësinë e do të lejojë të shkelet fjala e dhënë dhe ajo për të cilën është arritur ujdia. Marrëveshjet që i bëjmë nuk janë shprehje e dobësisë sonë, por këmbëngulje dhe ekzistim force, jo vetëm e këtij populli në Kosovë, por edhe i vendosmërisë së gjithë Serbisë që ajo këtu të mbetet bashkë me popullin e vet dhe bashkë me kishën e vet”, ka thënë Gjuriq.

Ai ka shtuar se “dëshirojmë të jetojmë në marrëdhënie normale e miqësore me fqinjët tanë shqiptarë dhe sa më parë që ata (shqiptarët)ta kuptojnë këtë, kjo do të jetë më pak e dëmshme për të gjithë këtu.

Gjuriq ka shfaqur shpresën se populli serb bashkë me shtetin dhe me kishën do të qëndrojnë në Kosovë.

“Stefan Deçanski i Shenjtë që na ka bashkuar sot këtu, fton gjithë Serbinë që të bashkohet në mbrojtje të shenjtoreve tona”, ka thënë Gjuriq duke shtuar se lufta e Serbisë për mbrojtjen e këtyre shenjtoreve në Kosovë ende nuk ka përfunduar.