Gjuriq, deputetëve kosovarë: Mos u fshihni pas Listës Serbe si qyqarë

E publikuar: 01/09/2016 23:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka thënë sot se politikanët shqiptarë në Kosovë “mos të fshihen pas deputetëve” të Listës Serbe.
Ai ka thënë se politikanët shqiptarë në Kosovë mos ta hedhin përgjegjësinë në mënyrë “qyqare” të deputetët e Listës Serbe pas rrjedhën e seancës së sotme parlamentare ku në rend dite ishte ratifikimi i marrëveshje për demarkacionin me Malin e Zi,

“Ajo që do të duhej t’i këshilloja përfaqësuesit politik të shqiptarëve të Kosovës në Prishtinë, është se ata do të duhej të uleshin dhe të bisedonin me përfaqësuesit e serbëve të Kosovë për atë se në çfarë mënyre t’i përmbushin obligimet e marrëveshjes së koalicionit që e kanë nënshkruar me ata, në çfarë mënyre të dalin dhe të përballën me nevojat dhe kërkesat e shumta”, ka thënë Gjuriq në Graçanicë, transmeton lajmi.net.

Gjuriq ka thënë se vendimi i deputetëve të Listës Serbe që mos të marrin pjesë në seancën e sotme të parlamentit është marrë në pajtim dhe dialog me përfaqësuesit serb, respektivisht vendimi për të përmbushur marrëveshjen e koalicionit.

“Duket qyqarllëk që një grup jashtëzakonisht i madh politik, që përbën shumicën absolute në qeveri dhe në Kuvend, të fshihet pas një grupi të vogël të deputetëve të bashkësisë serbe, të cilën e përbëjnë 10 njerëz, që është më pak se 10 për qind nga numri i përgjithshëm i deputetëve”, ka thënë Gjuriq.

“Uluni me ata njerëz dhe bisedoni, përmbushuani atyre atë që nuk ua keni përmbushur e që jeni të obliguar, dhe ndoshta qëndrimi i tyre do të jetë tjetër. Mos i shtyni ata që të bëjnë diçka që është në kundërshtim me qëndrimin e përgjithshëm të popullit serb në Kosovë sa i përket statusit”, ka thënë ai.