Për vetëm një muaj, Inspektorati i Punës në Kosovë ka gjobitur 92 biznese të cilët nuk e kanë respektuar Ligjin e Punës, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë përfaqësues të këtij institucioni.
Kompanitë të cilat janë gjobitur nga inspektorati janë kryesisht kompani ndërtimore. Vlera e gjobës për këto kompani është afër 100 mijë euro.
Ata janë gjobitur për punësim të punëtorëve pa kontratë pune dhe për mungesë të pajisjeve personale mbrojtëse.
Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Basri Ibrahimi, ka treguar për Radion Evropa e Lirë se kanë realizuar 1548 inspektime, ku janë inspektuar 11402 punëtorë.
“Gjatë kësaj fushate ne kemi shqiptuar 92 gjoba me një vlerë afër 100 mijë euro. Për punëtorët pa kontratë pune janë shqiptuar 72 gjoba dhe 20 gjoba janë shqiptuar nga aspekti i sigurisë dhe shëndetit në punë, në veçanti për pajisjet personale mbrojtëse”, ka sqaruar Ibrahimi.
Gjobat për ata që nuk e respektojnë Ligjin e Punës në Kosovë, sipas ligjeve në fuqi kapin shumën deri në 35 mijë euro.
Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi, ndërkohë ka paralajmëruar se inspektimet do të vazhdojnë edhe në muajt e ardhshëm në kompani tjera.
“Gjatë këtij muaji dhe në muajin e ardhshëm do të inspektohen kompanitë e pastrimit dhe kompanitë e sigurimit fizik, pasi që këtu edhe në këto kompani kemi konstatuar se ka shkelje ndoshta jo të kontratave të punës, por detyrimet tjera që dalin nga Ligji i Punës siç është paga minimale dhe orari i punës”, ka treguar Ibrahimi.
Mekanizmat në Kosovë që merren me mbrojtjen e punëtorëve, thonë se numri i inspektimeve të bizneseve është mjaft i ulët, krahasuar me numrin e madh të bizneseve private që funksionojnë në Kosovë.
“Me një numër të tillë të inspektorëve aq sa është 50, është vështirë të bëhet më shumë për shkak se ata kanë inspektuar rreth 1500 biznese ndërsa ne i kemi afër 60 mijë. Pra, numri prej 50 inspektorëve nuk mund të kryejë punën ashtu siç duhet për këto probleme siç është mosrespektimi i Ligjit të Punës apo shkeljet e të drejtave të punëtorëve”, thekson për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Kosovës, Haxhi Arifi.
Një problem mjaft shqetësues në Kosovë që e thekson Haxhi Arifi është fakti që punëtorët të cilëve iu shkelen të drejtat e tyre nga punëmarrësi nuk e raportojnë një gjë të tillë.
Ai tregon se është jashtëzakonisht numër i vogël i atyre që paraqiten në këtë institucion dhe denoncojnë raste që kanë të bëjnë me shkelje të të drejtave të tyre nga punëdhënësi.
“Numri i madh i të papunëve në Kosovë ka bërë që punëdhënësit të mund të largojnë punëtorët e tyre sa herë që ata dëshirojnë. Kjo ka bërë që punëtorët të mos denoncojnë rastet e shkeljes së të drejtave të tyre. Për ata them që punëtorët të mos hezitojnë të paraqiten në linjat tona telefonike dhe të raportojnë rastet, pasi që ne se bashku me Inspektoratin e Punës do të marrim masa”, shprehet Arifi.
Në Kosovë, Ligji i cili mbron të drejtat e punëtorëve është në fuqi që nga viti 2011, por që si i tillë ky ligj nuk ka gjetur zbatim në Kosovë, në veçanti për punëtorët që punësohen në sektorin privat.