Komisioni Evropian e ka gjobitur gjigantin e internetit Google me 2.42 miliardë euro, pasi ka konstatuar se kompania ka abuzuar me fuqinë që ka duke promovuar shërbimin e saj të blerjeve në krye të rezultatit të kërkimeve.
Gjoba e rregullatorit të Komisionit Evropian është dënimi më i madh i shqiptuar kundër një kompanie të akuzuar për çrregullim të tregut.
Vendimi po ashtu e urdhëron kompaninë Google t’iu japë fund praktikave antikonkurruese brenda 90 ditësh – në të kundërtën mund të përballet me tjetër ndëshkim.
“Ajo që ka bërë Google është e paligjshme me rregullat e BE-së”, tha Margrethe Vestager, komisionare e BE-së për çështje të konkurrencës.
“Google u ka mohuar kompanive të tjera mundësinë për të konkurruar me meritat e tyre. Për më tepër, u ka mohuar konsumatorëve evropianë përfitimet nga konkurrenca, zgjedhja e vërtetë dhe inovacioni”, shtoi Vestager.
Komisioni Evropian ka hetuar platformën Google Shopping që nga fundi i vitit 2010.
Google, kompani amerikane, tha se po shqyrton mundësinë për ta apeluar vendimin./rel/