Me Drilonën kam kaluar më shumë se dy muaj. Ndoshta do të ishim bashkë për një kohë më të gjatë, pse jo edhe tërë jetën, sikur të mos ndodhte ajo që kurrë nuk e kishte pritur prej saj. Më kishte gënjyer në një rast kur nuk më kishte treguar se kishte qenë e detyruar të flinte me një pronar të një firme për të mos e dëbuar nga puna e mirë që gëzonte…
Ndërkaq, e kaluara e Mozës, të cilën tash e sa vjet e kam edhe grua, edhe pse i pata thënë se nuk më pengon nëse femra nuk është e virgjër, megjithatë, nuk po më lë rehat…
Drilonën nuk kam mundur ta paramendoj ndryshe, veç si një prostitutë që mund t’ua hapë këmbët në çdo kohë kujtdo qoftë. Për këtë arsye i kam thënë se nuk dëshiroj të vazhdoj më me të dhe që nga ajo ditë Drilonën e kam parë përdore me mashkull tjetër. Kushedi edhe sa dashnorë të tjerë do t’i ketë ajo deri në ditën kur ndonjërin prej tyre do ta verbojë bukuria dhe dinakëria e saj, sepse, vërtet, Drilona ishte shumë e bukur, por edhe ishte tepër dinake. Kurrë nuk i kisha simpatizuar femrat që kishin qenë shumë të bukura… Dhe, për këtë shkak ende nuk kisha rënë në dashuri me asnjë femër, e cila, në radhë të parë, ka qenë edhe simpatike, por edhe e sinqertë dhe zemërbujare.
Nganjëherë më duhej të pranoja një fakt se është vështirë për një mashkull të martohet dhe të krijojë familje me një femër, e cila para tij ka fjetur me kushedi sa meshkuj të tjerë. Kjo për shkakun se gjithë jetën do t’i rrijë në mendje e kaluara e gruas së tij dhe vazhdimisht do të dyshojë se ajo do i ripërtërijë lidhjet tinzare me ata edhe gjatë kohës martesore.
Më brente vetëm një gjë: Pse vajzat nuk flisnin me sinqeritet të plotë për të kaluarën e tyre? Mua më ka ndodhur që me shumicën e femrave, me të cilat kam dalë, jam njohur dhe jam dashuruar, që të gjitha t’më thonë se e kanë pasur vetëm një frajer. Por, te unë nuk prishte punë nëse vajza e cila më pëlqente jashtëzakonisht dhe kuptohet që më përshtatej të ketë pasur një apo dy të dashur, me të cilët nuk u ka ecur. Shkurt dhe shqip: nuk më interesonte çfarë të shkuare ka pasur e dashura ime, vetëm më interesonte të di se ajo nuk ka qenë prostitutë dhe s’ka punuar në ndonjë shtëpi publike. Tjetër gjë është nëse ajo ka qenë e dashuruar në një person dhe ai e ka tradhtuar, e ka lënë. Vetëm dëshiroj t’më siguronte një femër se nesër-pasnesër, kur ajo të bëhej gruaja ime, të mos e shikojnë në rrugë si ndonjë nga ato vajzat që s’kanë lënë kujt pa ua plotësuar dëshirat seksuale. Për këtë arsye ndodhesha në dilemë të madhe për të vendosur se kur duhet të martohem dhe me kë… E pranoj se kam pasur femra të bukura, ndonjëra prej tyre edhe sot e kësaj dite më simpatizon, por asnjëherë nuk më ka ndodhur që dikush nga të dashurat e mia t’ma thotë realitetin e jetës së tyre.
Femrat mundohen të të shtinë në gjynah
Kam ardhur në një përfundim shumë real se femrat gjithnjë trillojnë diçka, shpikin dhe mundohen të të shtinë në gjynah. Nuk mund t’i duroja kur thoshin se gabimisht janë dashuruar dhe kanë kuptuar më vonë se i dashuri i tyre ka qenë i martuar ose ka përdorur drogë. Por, unë kam pasur një rregull të cilin gjithnjë e kam përdorur: kurrë nuk i pyesja femrat i sati dashnor i tyre isha, sepse e dija mirë se asnjëra prej tyre nuk e thotë të vërtetën. Mund të ketë vajza që, vërtet, kanë pasur vetëm një dashnor, por shumica e të tjerave kur kanë “gabuar” një herë, kanë provuar dashurinë edhe herëve të tjera dhe kështu përsëri kanë “gabuar” dhe janë mashtruar.
Si i ri vetja më dukej se jam njëfarë mashkulli, por ç’është më e rëndësishmja femër që dua nuk kisha. 30 vjet i kalova pa u martuar. E ndieja mungesën e dikujt, së cilës do i përkushtohesha me gjithë fuqinë e jetës sime. Është e natyrshme se për femra kurrë kam hequr asnjëherë, por ç’është e rëndësishmja nuk gjeja mënyrë sesi të vija deri te kontakti me ndonjë vajzë që bënte për mua. Çuditërisht, kisha njohur natyrën e shumë femrave, të cilat normalisht që dëshironin të njiheshin me mua, por më pas në takimet e dyta ato ose nuk dilnin fare në orarin e caktuar ose më paralajmëronin përmes telefonit se s’kishin gjetur te unë “as fijen më të vogël të seriozitetit”. Unë, kuptohet, nuk mërzitesha nga kjo, sepse e dija një gjë vendimtare: askush nuk ka mbetur i pamartuar. Por, më shqetësonte një fakt tjetër kontradiktor që gjithnjë e më vështirë e kisha të gjeja një gjuhë të përbashkët me femrat, të cilat më propozoheshin për të lidhur qëllimin tim të martesës, ngaqë, vërtet, nuk planifikoja ndonjë aventurë me to. Isha ngopur me aventura. Më dukej se nuk e kisha më atë kohën e dikurshme për të dashuruar… as atë vrullin rinor për të pasur në të njëjtën kohë nga dy e tri dashnore. Me secilën femër që doja të njihesha me të, menjëherë dëshironte të martohej me mua ose i interesonte nëse kemi mundësi të iknim diku jashtë shtetit. Vetë fakti se ato donin aq shpejt të martoheshin me mua dhe të iknim jashtë, tregonte se e kaluara e tyre nuk ishte edhe aq e mirë. Unë, sinqerisht, isha i interesuar të gjeja një vajzë të bukur për martesë, por disa vajza me të cilat jam njohur pas daljeve tona të shpeshta nuk u pritej dhe më thoshin shkurt: “Unë dua që sa më shpejt të fejohemi dhe martohemi, pa e zgjatur shumë muhabetin!”.
Isha kategorikisht i vendosur se përpara se të lidhesha përnjëmend me një femër, ta njihja mirë, pavarësisht nëse kishte pasur më parë të dashur, që e kishte shfrytëzuar për një kohë dhe, pastaj, ia kishte kthyer shpinën. Por, në asnjë mënyrë nuk mund të martohesha me një vajzë, e cila te unë sheh dashnorin e saj të katërt a të pestë.
“Nëse kërkon vajzë që ka pasur vetëm një frajer ose të tregon drejt se sa i ka pasur, do të mbetesh pa u martuar! Ku po jeton ti?”, më pat thënë njëra nga to, e cila i kishte shkelur 25 vjet dhe e cila nuk e dinte as vetë se sa meshkuj i kishte pasur.
A të pengon që nuk jam e virgjër?
Po e përsëris edhe një herë se nuk më pengonte virgjiniteti i femrës, por më pengonte shumë nëse drejt saj bëjnë me gisht të gjithë, duke e shikuar si prostitutë. Kjo kishte dallim të madh dhe ishte esenciale për mua. Me shumicën e femrave që dilja për t’u njohur (disa nga to edhe i kam çuar në shtrat me insistimin tim apo me vetëdëshirën e tyre), pothuajse si njëra ashtu edhe tjetra më pyetnin shkurt e shqip që në ditën e parë të njohjes: “A të pengon ty virgjiniteti i femrës, o djalë?”. Përgjigja ime ishte e sinqertë: “Jo”. Mirëpo, ajo “jo” kishte edhe një domethënie tjetër, sepse, edhe pse tash jam i martuar dhe i kam dy fëmijë, nuk më hiqet dot nga mendja se gruaja ime nuk ishte e virgjër, ani pse kur në pyetjen: “A të pengon që nuk jam e virgjër?” aso kohe i pata thënë me plot gojën: “Jo”.
Konkretisht, isha më pranë se kurrë të martesës me Mozën, e cila kuptohet nuk kishte qenë virgjine kur u takua me mua. Ishte vetëm 20 vjeçe, por dukej më e vjetër, e bukur dhe inteligjente. Me fjalë të tjera, femër ideale për mua. Për të parën herë po i besoja një femre se kishte qenë e dashuruar në një mashkull, i cili kishte ikur jashtë sa mbyllë e hapë sytë. I besova, sepse më dukej se ishte femër që nuk dinte “dallavere” dhe kështu dëshiroja që menjëherë të martohesha me të, të mos e zgjatja me fejesë dhe gjëra të tjera. Dhe, ndodhi si ndodhi, u martuam dhe tash i kemi dy fëmijë si drita…
Por, sidoqoftë, edhe pse vetë dikur i kisha thënë se s’më pengonte virgjiniteti i femrës, tash si më çekan më rri në mendje e kaluara e saj dhe nuk më lë rehat…B. B./Kosovarja/