GJINI: NË ZGJEDHJET E REJA, SI OPOZITË E BASHKUAR

E publikuar: 29/12/2015 14:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari i parë i AAK-së, Ardian Gjini ka thënë sot se gjasat janë reale që të shkohet në zgjedhjet e reja si opozitë e bashkuar me një platformë të përbashkët.

Këtë deklaratë Gjini e bëri gjatë një konference për media që pati bashkë me nënkryetarin tjetër të AAK-së, Ahmet Isufi dhe zëdhënësin Muharrem Nitaj ku u shpalosën zhvillimet e vitit 2015 nga pikëpamja e kësaj partie, transmeton arbresh.info.

“Është herët të flitet por gjasat janë reale që të shkojmë si opozitë e bashkuar me një platformë”, ka thënë Gjini.

Dy nënkryetarët e AAK-së Ardian Gjini dhe Ahmet Isufi kanë thënë se Qeveria e Kosovës me në krye Isa Mustafën dhe Hashim Thaçin nuk ka dështuar vetëm në çështjen e Asociacionit të komunave serbe dhe Demarkacionit me Malin e Zi por edhe në shumë drejtime të tjera.

“Kjo qeveri nuk ka dështuar vetëm tek çështjet e mëdha kombëtare si Asociacioni dhe Demakracioni. Këta kanë dështuar edhe me Brezovicën, Kodin Telefonik dhe ta ndërtojnë Ushtrinë e Kosovës’, ka thënë Gjini.

Ndërkaq, Ahmet Isufi tha se që nga paslufta gjendja në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë më e rëndë se tani.

“Këto që i përmendën janë reflektim i një Qeverie që nga paslufta është nga qeveritë më të kriminalizuara dhe qeveri që ka humbur krediblitetin për të qeverisur prapë. Gjendja që nga paslufta nuk ka qenë më e rëndë dhe kjo qeveri duhet të shkoj sa më shpejt e të mbahen zgjedhjet e lira’, është shprehur Isufi.