Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, e ka pritur sot në zyrë ministrin e Kulturës, Hajrulla Çekun. Me Çekun, nënkryetari i AAK-së tha se zhvilloi “një bisedë konkrete” për bashkëpunim.
Gjini tha se diskutuan për projektet e përbashkëta që Komuna dhe Ministria po i realizojnë bashkë.
“E mirëprita sot në zyrën time, ministrin e Kulturës, Sportit dhe Teknologjisë, Hajrullah Çekun, me të cilin zhvilluam një bisedë konkrete për bashkëpunimin në mes dy institucioneve tona, konkretisht projektet e përbashkëta që komuna dhe ministria janë duke i realizuar bashkarisht”, shkroi Gjini në Facebook.
Kryetari i Gjakovës tha se me ministrin u dakorduan “që të gjitha projektet e nisura të përfundohen në afatin e përcaktuar”, si dhe që të nisin “projekte të reja, të cilat janë në shërbim të qytetarëve të komunës së Gjakovës”.
“Falënderues për angazhimin dhe sinqeritetin e ministrit Çeku”, shkroi Gjini.