Dy ministra të Qeverisë së Kosovës, që vijnë nga komuniteti serb, kanë qëndruar në Gjilan, ku janë pritur nga kryetari Lutfi Haziri, me të cilin kanë biseduar për planet dhe mundësitë për buxhetin për vitin 2016 dhe për interesa të zhvillimit të komuniteteve në këtë komunë, në vendbanimet si Shillova, Cërnica, Kmetoci, pjesa urbane e qytetit rreth kishës së “Shën Nikollës”, shkollat që janë nën përkujdesje etj.
Me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq, dhe atë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Lubomir Mariq, kryetari Haziri tha të ketë biseduar edhe rreth kufijve administrativë mes Gjilanit dhe komunave të tjera.
Një tjetër temë e bisedës ka qenë edhe emërimi i një nënkryetari nga radhët e komuniteteve. Lutfi Haziri tha se është në interes të Gjilanit ta ketë nënkryetarin për komunitete dhe ai do të zgjidhet pas bisedimeve me partitë politike që tubojnë serbët.
Ministri Jevtiq tha se kanë biseduar për realizimin e projekteve të përbashkëta për vitin 2016, me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetarëve, si dhe rreth kthimit dhe pozitës së komuniteteve pakicë që jetojnë në Gjilan. “Për vitin e ardhshëm do të realizohet projekti i kthimit RK4, pastaj projekte të përbashkëta në infrastrukturë etj”, ka thënë ai. Ndërsa kolegu i tij, Lubomir Mariq theksoi se në takimin me kryetarin Haziri është diskutuar për planifikimin e strategjisë së zhvillimit ekonomik sepse pa zhvillim ekonomik nuk ka jetë të mirëfilltë për qytetarët e Gjilanit./Zëri/