Zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku, ka dhënë detaje për një rast që sot rezultoi pozitiv me koronavirus, pasi në konvikte ku ishte i karantinuar i janë paraqitur simptomat.
Sadiku ka thënë se tashmë një person që ka qenë i karantinuar në Qendrën e Studentëve ka rezultuar pozitiv me Covid-19.
Ai thotë se i njëjti ka ardhur nga Zvicra me një avion ku ishin edhe 54 udhëtarë të tjerë.
“Shenjat këtij qytetari i cili është nga Gjilani i janë paraqitur në ditën e shtatë të karantinës”, ka thënë Sadiku në Rtv Dukagjini.
Zëvendësministri thotë se personi në fjalë ka qenë në karantinë në një dhomë me një familjar me të cilin janë kthyer bashkë nga Zvicra dhe sipas bisedave ata nuk kanë kontaktuar me askënd.
Sadiku thotë se ky është rasti i dytë që nga karantina dikush del i infektuar, përcjell Telegrafi.
“Pas rastit të Ferizajt sot ky është rasti i dytë që dikush nga karantina del i infektuar. Po të ishte liruar ky pacient në shtëpi do të kishim shumë më tepër të prekur. Edhe në Ferizaj më nuk ka pasur raste tjera. Këtu shihet efekti i karantinës”.
Zëvendësministri i Shëndetësisë u ka bërë thirrje edhe të karantinuarve në konvikte që të respektojnë rregullat pasi mund të rrezikojnë veten dhe të tjerët.
“Në bazë të informacioneve ka disa të karantinuar që po lëvizin brenda konvikteve duke rrezikuar vetën dhe të tjerët”, tha ndër të tjera Izet Sadiku.