Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit, në vazhdën e informimit të bizneseve që po bëhet nëpër komunat e Kosovës është organizuar konferenca informuese për bizneset e këtij rajoni.
Kjo konferencë është organizuar në kuadër të “Ditëve të Biznesit të Vogël 2015”, ku të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve komunale dhe përfaqësues të shumtë të bizneseve të këtij rajoni, të cilët u informuan rreth nismave dhe shërbimeve që ofrohen nga institucionet qeveritare, të cilat përkrahin vazhdimisht zhvillimin e sektorit privat dhe krijim të kushteve më të mira për investime për të ndikuar në zhvillimin ekonomik në përgjithësi.
Në fjalën e saj, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, potencoi përkrahjen e vazhdueshme në zhvillimin e sektorit privat nga ministria të cilën ajo e udhëheq.
Ajo shtoi se qëllimi i pjesëmarrjes në këtë konferencë është që të jemi më afër me bizneset për t’i dëgjuar hallet dhe brengat e tyre gjatë zhvillimit të aktiviteteve biznesore. “Së bashku me institucionet lokale po bëjmë përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar ambientin e biznesit nëpër rajonet e Kosovës, duke vazhduar dialogun publiko privat për zhvillimin e ndërmarrësisë”, theksoi ministrja Bajrami.
Më tej ajo përmendi edhe të arriturat e qeverisë gjatë kësaj periudhe, ku janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në kuadër të angazhimeve për të institucionalizuar dialogun publiko privat.
“Pakon e re fiskale, e cila tashmë ka hyrë në fuqi dhe se bizneset kanë filluar t’i ndjejnë efektet e menjëhershme të saj”, tha ministrja Bajrami.
Ministrja i njoftoi të pranishmit rreth Skemës së Garantimit të Kredive, ku bizneset do të kenë qasje më të lehtë në financa, që do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve të tyre.
“Në kuadër të pakos së re fiskale, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave është finalizuar udhëzimi administrativ për pushime tatimore, ku bizneset lirohen nga tatimi në fitim gjatë investimeve, që do tu mundësojë zhvillimin më të mirë të bizneseve”, theksoi ajo.
Ajo iu sqarua përfaqësuesve të komunitetit të biznesit se tani është duke u punuar unifikimi i numrave të ndryshëm të bizneseve në një numër të vetëm të cilin do ta aplikojnë në të gjitha procedurat.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të jetë gjithherë derë e hapur e adresimit të barrierave të bizneseve.
Gjatë konferencës nga ana e drejtorit te KIESA-s, Besian Mustafa, u prezantuan edhe shërbimet që ofrohen nga ana e MTI-së.
Në fund të konferencës shpallën ndërmarrjet më konkurruese në rajonin e Gjilanit:
Vendi i tretë i takoi ndërmarrjes “ABC DESIGN” sh.p.k
Vendi i dytë i takoi ndërmarrjes “FLEXOGRAF” sh.p.k
Vendi i parë i takoi ndërmarrjes “AGROMARKET-KS” D.O.O
Pas konferencës ministrja vizitoi ndërmarrjet e rajonit të Gjilanit: “Enrad”- që merret me prodhimin e radiatorëve, ndërmarrjen “Pallma” sh.p.k – që merret me përpunimin e drurit si dhe ndërmarrjen “Flexograf” sh.p.k – që merret me prodhim dhe dizajnim të ambalazheve.