Gjetje shqetësuese për punësimin dytësor në Policinë Kufitare të Gjilanit: IPK kërkon masa disiplinore dhe përmirësim të praktikave menaxhuese

E publikuar: 10/06/2025 15:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), përmes një inspektimi të jashtëzakonshëm në Stacionin Policor për Mbikëqyrje të Kufirit në Gjilan, ka gjetur shkelje serioze në menaxhimin e punësimit dytësor të zyrtarëve policorë. Sipas raportit të publikuar më 10 mars 2025, IPK ka rekomanduar ndërmarrjen e masave për respektimin strikt të udhëzimeve ligjore dhe administrative, duke përfshirë disiplinimin e personave përgjegjës dhe rivlerësimin e praktikave aktuale për angazhimin e zyrtarëve në punë jashtë orarit zyrtar, shkruan Infosot.

Hetimi u zhvillua pas një ankese që ngriti dyshime për praktika favorizuese dhe shkelje të procedurave në caktimin e stafit për punësim dytësor. Nga inspektimi u evidentua se një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve ishin angazhuar pa vendime të aprovuara nga Drejtoria e Personelit, në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ Nr. 02/2023 dhe nenet përkatëse që rregullojnë marrëdhënien e punës në Policinë e Kosovës.

Sipas gjetjeve, 680 orë pune dytësore janë realizuar pa autorizim ligjor, që përbëjnë 14% të totalit të orëve të angazhuara për periudhën tetor 2024 – janar 2025. Në tetor 2024, 23 nga 33 zyrtarët e angazhuar kanë realizuar 71% të orëve pa vendim të lejuar. Në muajt në vijim, shifrat mbetën shqetësuese edhe pse në rënie. Numri i zyrtarëve të përfshirë në këtë praktikë është rritur nga muaji në muaj, duke arritur në 52 në janar 2025 dhe një total prej 139 të angazhuar përgjatë katër muajve.

IPK thekson se praktika të tilla jo vetëm që bien ndesh me kuadrin ligjor, por cënojnë parimin e mundësive të barabarta, dëmtojnë besueshmërinë në institucion dhe rrezikojnë etikën profesionale brenda Policisë së Kosovës. Marrëveshja për ofrimin e sigurisë në Deponinë Sanitare në fshatin Velekincë është nënshkruar më 16 tetor 2024, me kontakt dhe menaxhim nga Mbikëqyrësi i Ndërrimit “A”.

IPK ka rekomanduar verifikim të plotë të të gjitha angazhimeve dytësore për të siguruar përputhje me vendimet zyrtare; ndaljen e menjëhershme të angazhimeve pa autorizim dhe vlerësim të përgjegjësisë menaxheriale; rivlerësim të mënyrës së përzgjedhjes së stafit për angazhime dytësore, për të garantuar paanësi dhe transparencë dhe zbatimin e masave disiplinore për shkelësit dhe raportim periodik të praktikave të punësimit dytësor nga ana e Drejtorive përkatëse.

Raporti është përgatitur nga inspektori Xhavit Fetahaj dhe dorëzuar nga udhëheqësi i Departamentit të Inspektimit, Bekim Pira. Ai është miratuar nga Kryeshefi Ekzekutiv i IPK-së, Kushtrim Hodaj. Inspektimi synon të shërbejë si një alarm institucional për rritjen e përgjegjshmërisë, barazisë dhe profesionalizmit në angazhimet shtesë të zyrtarëve të rendit./InfoSot

RAPORT I INSPEKTIMIT NR. 02-2025 – MENAXHIMI I PUNËSIMIT DYTËSOR NË STACIONIN POLICOR TË MBIKËQYRJES SË KUFIRIT – GJILAN-98154110-b252-4663-9cda-11c90409bf09 (1)-compressed