Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), përmes një inspektimi të jashtëzakonshëm të realizuar në muajin prill 2025, ka zbuluar një sërë parregullsish dhe mospërdorime të pajisjeve për matjen e shpejtësisë nga njësitë e trafikut rrugor në Policinë e Kosovës. Inspektimi, i kërkuar nga Kryeshefi Ekzekutiv i IPK-së, Kushtrim Hodaj, synonte të vlerësonte përdorimin efektiv të teknologjisë moderne të radarëve dhe pajisjeve inteligjente në luftën kundër kundërvajtjeve në trafik, sidomos në autostrada dhe rrugë rajonale, shkruan Infosot.
Në bazë të informatave paraprake, kishte dyshime serioze se zyrtarë të trafikut, ndonëse përdornin pajisje të avancuara si radarët laserikë Trucam II apo automjetet me teknologji inteligjente, shpesh nuk gjobisnin kundërvajtësit e shpejtësisë për shkeljet e evidentuara. Kjo ngriti pikëpyetje mbi efikasitetin, paanësinë dhe përgjegjshmërinë e policisë në trajtimin e këtyre shkeljeve që përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve.

Gjatë inspektimit, i cili u shtri në periudhën janar – maj 2025, IPK analizoi të dhënat nga 13 radarë laserikë dore, 3 pajisje inteligjente në automjete dhe një radar mobil, krahasuar me fletët e kundërvajtjes për të njëjtat mostra. U mbajtën takime me drejtues dhe shefa njësish të trafikut rrugor në nivel qendror dhe rajonal, dhe u verifikua në terren funksionimi i pajisjeve për matjen e shpejtësisë, si dhe mënyra e ruajtjes së të dhënave të incizuara, raporton Infosot.
Gjetjet kryesore të inspektimit përfshijnë mospërputhje ndërmjet numrit të matjeve të shpejtësisë dhe numrit të gjobave të shqiptuara, çka nxit dyshime për mosndëshkimin e qëllimshëm të kundërvajtësve. Po ashtu dobësi në vendosjen e saktë të të dhënave në radarë para matjes, përfshirë mungesën e lokacionit, kufizimit të shpejtësisë dhe identitetit të operatorit. Praktika të ndryshme dhe jo të standardizuara për shkarkimin, ruajtjen dhe administrimin e materialeve të regjistruara. Mosshfrytëzim i mjaftueshëm i automjeteve me pajisje inteligjente për identifikimin e mjeteve të paregjistruara ose që lëvizin mbi kufirin e lejuar të shpejtësisë. Mungesë e një udhëzuesi të brendshëm operacional për përdorimin e pajisjeve të matjes së shpejtësisë, përjashto manualin teknik të prodhuesit. Pajisje teknologjike të avancuara të cilat, përkundër mundësive të mëdha që ofrojnë, nuk përdoren në mënyrë të plotë e efektive për ngritjen e sigurisë në trafik. Raporti përmend edhe vështirësitë në funksionimin e pajisjeve për shkak të mungesës së trajnimeve të vazhdueshme për stafin, defekteve teknike në radarët ekzistues dhe mungesës së infrastrukturës për ruajtjen e materialeve incizuese në disa njësi rajonale.

Në këtë raport IPK ka rekomanduar të hartohet e një udhëzues i posaçëm për përdorimin dhe administrimin e të dhënave të pajisjeve të matjes së shpejtësisë. Shtimin e kontrollit të shefave të operativës dhe mbikëqyrësve të ndërrimeve mbi mënyrën e përdorimit të pajisjeve nga ekipet patrulluese. eliminimin e praktikave të dëmshme si mosaplikimi i plotë i gjobave apo ndryshimi i llojit të shkeljes gjatë plotësimit të fletëgjobave. Monitorimin e rregullt të procesit të shkarkimit dhe ruajtjes së të dhënave të regjistruara. Shfrytëzimin më të madh të automjeteve me pajisje inteligjente për identifikimin e kundërvajtjeve serioze. Pajisjen e njësive policore me radarë statikë për vendosje në zonat me rrezik të lartë të aksidenteve. Trajnime të detyrueshme dhe periodike për zyrtarët që përdorin pajisje teknologjike, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe transparencës.
Raporti përfundimtar u përmbyll me një takim më 4 korrik 2025 mes IPK-së dhe strukturave përfaqësuese të Policisë së Kosovës, ku u diskutuan gjetjet dhe rekomandimet. Komentet e strukturave policore u kthyen me shkrim më 7 korrik dhe u inkorporuan në raportin përfundimtar.
IPK thekson nevojën për përmirësim të menjëhershëm në fushën e menaxhimit të sigurisë rrugore, sidomos për shkak të rritjes së numrit të aksidenteve të shkaktuara nga tejkalimi i shpejtësisë. Me gjithë përpjekjet e deritanishme, mospërdorimi i duhur i pajisjeve të teknologjisë së avancuar rrezikon jo vetëm integritetin profesional të njësive policore, por edhe jetën e qytetarëve në rrugët e vendit./Infoisot/
















