Gjetan Keta kampion Interkontinental në WBC (Video)

E publikuar: 19/02/2016 23:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjetan Keta fitoi gjerdanin e artë të peshës së mesme për titullin interkontinental të versionit WBC pas një tërheqje të kundërshtarit të tij Turgay Uzun, në raundin e pestë. Në një mbrëmje emocionuese në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, Gjetan Keta ngriti peshë të pranishmit në sallë me një fitore fantastike, në një duel që vëllezërit Keta e kishin organizuar dhe për të promovuar Shqipërinë në mbarë botën.

Gjetani e nisi si një luftëtar i vërtetë u ngjit në ring me muzikën e filmit për Heroin tonë Kombëtar “Skënderbeu”.

Ndërsa emocione të mëdha dhuroi dhe momenti i këndimit të himnit nga tenori Kastriot Tusha, me një flamur gjigant që u shfaq në tribunën qëndrore. Në momentin që nisi grushtimi, Keta menjëherë u pëpoq të ishte agresiv duke sulmuar kundërshtarin e tij. Në raundin e 2-të dhe të 3-të, Uzun u përpoq të vendoste disi në vështirësi Ketën, por në raundin e katërt mori disa goditje nga ana e Gjetanit duke ndjerë peshën e lodhjes. Dhe në raundin e pestë, pas një tjetër sulmi të Ketës, Uzun nuk përballoi dot furinë e goditjeve duke u tërhequr përfundimisht, me Gjetanin që fitoi titullin interkontinental.

Vetë kampioni u shpreh i emocionuar për këtë sukses, që i jep atij mundësinë tashmë për të garuar në muajin maj dhe për titullin botëror.

“I kam pas emocionet më të mëdhaja se asnjëherë. Ishte shumë e vështirë, por unë e di që jam një luftëtar dhe doja të luftoja me gjithë forcën time”.

Ndërkohë që vëllai i tij Ismaili nuk harroi të falenderonte publikun shqiptar për mbështetjen.

“Nuk kam fjalë, dua vetëm të falenderoj publikun shqiptar”.

Fitore arriti një tjetër pinjoll  i boksit në familjen Keta, Feriti, që e nisi karrierën e tij si profesionist me një sukses ndaj serbit Haris Calakovic, i cili u rrëzua k.o që në raundin e dytë.

Video Player