Tani parakalon nëpër Evropë si të ishte një trofe. Në “retreat” (takim pune) e CSU-së në janar, ishte i ftuari special – Edi Rama, kreu i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Në vitin 1991, kjo parti ishte trashëgimi nga komunisti i epokës së gurit Enver Hoxha dhe Partia e Punës. Markus Söder shfrytëzoi rastin në Kloster Banz për ta’i dhënë garanci mikut shqiptar se vendi i tij “i përket BE-së”.
Në maj, Rama shkëlqeu përkrah Zëvendëskancelarit Robert Habeck si folësi paraprak në dhënien e Çmimit Karls në Aachen – ku ringjalli frymën e tolerancës në konceptet e Thomas Mann. Shqiptari shkëmben shpesh puthje me kryeministren e Italisë Giorgia Meloni, e cila ia lejoi vetes të shplodhej në vilën e Ramës në Adriatik verën e vitit 2023 me familjen e saj.
Edi Rama, 60 vjeç, ka qeverisur dhe përfaqësuar Shqipërinë kandidate për anëtarësim në BE për njëmbëdhjetë vjet: i gjatë si një pemë, Rama është një burrë me sjellje shpesh të moderuara. Tipi, që pret mysafirët shtetërorë me atlete dhe gazetarët me raste, zbathur. Një pasardhës i vonë i borgjezisë socialiste, shumëgjuhësh i një niveli të lartë. Dikur basketbollist i kombëtares shqiptare dhe i njohur ndërkombëtarisht si artist pamor. Për shumë në Perëndim: fytyra kozmopolite e Shqipërisë.
Korrupsioni në të gjitha nivelet
Edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pati nderin të ishte në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë në muajin shkurt të këtij viti dhe gjeti fjalë lavdëruese për “Edin” – jo më pak për reformën e tij në drejtësi: “Zyrtarët e korruptuar tani po mbajnë përgjegjësi”, tha Blinken: “Anëtarë të krimit të organizuar bien në burg dhe humbasin pasuritë e tyre, ky është një ndryshim i madh.
Protestuesit kundër korrupsionit: Zemërimi po rritet
Megjithatë, në raportin e fundit vjetor të shtëpisë së Blinken, Departamentit të Shtetit, gjërat tingëllojnë ndryshe. Për situatën në vendin anëtar të NATO-s, Shqipërinë e vitit 2023, thuhet: “Ka pasur korrupsion në të gjitha dikasteret dhe në të gjitha nivelet e qeverisë”.
Kjo do të thotë: edhe në majë. Kundërshtari politik i Ramës pretendon se sundimtari prej kohësh e ka kthyer vendin e tij në një autokraci të kontaminuar nga droga. Më saktësisht, ai toleroi avancimin e krimit të organizuar. Kreu i qeverisë e mohon këtë.
I përballur me akuzat përkatëse nga SPIEGEL, kryeministri telefonon vonë në mbrëmje dhe përpiqet të ndikojë në raportim: Ai i percepton akuzat si të kota, ofenduese dhe dëmtuese të pamerituara për vendin e tij.
“Si mund të ndodhë, -u pyet Rama në qershor nga një gazetar italian,- që njëri pas tjetrit, ministra të ndryshëm nga rrethi i tij u arrestuan për korrupsion, ndërsa ai vetë është ende në detyrë?” Përgjigja e ftohtë e kreut të qeverisë shqiptare: “S’ka pyll pa derra”.
Stabilizuesi i Ballkanit
Rama, i parë me sytë e perëndimit, konsiderohet një stabilizues në Ballkan. Mbi të gjitha, modeli i tij i negociuar me Melonin shihet me interes përtej Italisë: plani për të strehuar refugjatët dhe emigrantët në tokën shqiptare, pasi ata janë kapur në ujërat italiane të Mesdheut.
Sa më popullor bëhet jashtë vendit, aq më shumë rritet zemërimi në mjedisin e tij të afërt. Ata në rrethin e brendshëm, që dinë shumë dhe do të rrezikonin shumë në varësi të rrethanave, flasin vetëm me garancinë e anonimitetit. Të tjerët dalin në rrugë. Në korrik, protestuesit e zemëruar hodhën kokteje molotov në rezidencën zyrtare të Ramës në Tiranë. Tashmë shenjat e djegies janë fashitur.
Në qendër të Tiranës kanë mbetur gjurmë të tjera, më të vjetra. Piramida, për shembull, një ndërtesë ku dikur qëndronte statuja e mermertë e diktatorit Enver Hoxha, e krijuar nga babai i Edi Ramës.
Kristaq Rama ishte një artist i afërt me sistemin, i cili u vërtetua se kishte bashkënënshkruar një dënim me vdekje në vitin 1988 si anëtar i të ashtuquajturit Presidiumi Popullor: kundër poetit opozitar Havzi Nela, i cili më pas u var.
Kohët e reja, më të ndriçuara kanë simbolikë të tyre një ndërtesë transparente, prej qelqi dhe çeliku. është selia e SPAK, prokuroria kundër korrupsionit. Ajo u themelua në vitin 2019 me nxitjen e SHBA-së dhe BE-së. Drejtuesi në detyrë nuk konsiderohet i preferuari i Ramës. Në votimin vendimtar të betejës, ai ndoshta ka përfituar nga fakti që ambasadori amerikan kishte insistuar të vëzhgonte personalisht procedurën – një votë mosbesimi ndaj kreut të qeverisë.
Burgjet VIP me ofertë fitnesi
Bilanci i mëparshëm i autoritetit të SPAK është i tillë: Ministri i parë i Brendshëm i Ramës u dënua me tre vjet e katër muaj burg për shpërdorim detyre – fillimisht për trafik droge, në fund për një vepër tjetër. Ish-ministri i mjedisit i Ramës u dënua me gjashtë vjet e tetë muaj burg për korrupsion në shtator 2023. Zëvendësministri i Shëndetësisë dha dorëheqjen për shpërdorim detyre. Ish-shefi i tij, më në fund shkoi në burg në korrik 2024 për përvetësim të fondeve të BE-së.
Ndonëse në Shqipëri ekzistojnë tashmë të ashtuquajturat burgje VIP, siç zbuloi platforma kërkimore BIRN: qendrat e paraburgimit me departamente në të cilat personalitetet socialiste të rënë në burg banojnë aty me kuzhinën, dushin dhe ambjentet e tyre të fitnesit.
Megjithatë, ata nga rrethi i ngushtë i Ramës, të cilët i kërcënon një fat i tillë, zakonisht preferojnë të nisen në kohë. Një prej tyre është Arben Ahmetaj, ministër i Ramës i Ekonomisë nga viti 2013, më pas i Financave dhe nga viti 2021 si zëvendëskryeministër, numri dy në qeveri. Nga vëzhguesit politikë në Tiranë, Ahmetaj konsiderohet si një “ruajtës të thesarit” dhe një figurë kyçe në sistemin e qeverisjes së kreut të qeverisë. Në korrik 2022, Rama e shkarkoi atë – sipas raportimeve, në atë kohë materialet inkriminuese për Ahmetajn ishin grumbulluar. Për kryeministrin e ndërgjegjshëm mbi pushtetet e njërit apo tjetrit, shoku i tij i hershëm kërcënonte të kthehej në një rrezik.
Një vit më vonë, parlamenti i dominuar nga socialistët i hoqi imunitetin Ahmetajt. Vonesa ishte e arsyeshme. Por i akuzuari për korrupsion dhe pastrim parash, ishte larguar në kohë. Pak ditë më vonë, SPAK lëshoi ??një urdhër-arresti ndërkombëtar ndaj të arratisurit.
Sistemi Rama
“A ju shqetëson nëse pi puro?” pyet Arben Ahmetaj në takimin në një tarracë kafeneje në qendër të Luganos. Në të majtë shkëlqen liqeni, në të djathtë kalimtarët dhe turistët zviceranë bëjnë pazaret e fundit.
Ahmetaj është një njeri që ka udhëtuar mjaftueshëm, i mësuar me jetën e luksit, që në moshë të re konsiderohej si një nga yjet në ngjitje i socialistëve shqiptarë. Në vendlindje e kanë pagëzuar si “tigri”. Pavarësisht një urdhër-arresti ndërkombëtar, ai aktualisht po shijon mërgimin e tij në Lugano dhe shpreson të përfitojë azilin politik në Zvicër.
Ahmetaj nuk dëshiron të thotë asgjë për akuzat e ngritura ndaj tij në vendlindje. Për shembull, nëse ishte ai që krijoi lidhjet mes organizatorëve të një skandali për impiantet shqiptare të djegies së mbetjeve. Janë projekte të dyshimta, shumë pak prej të cilave janë realizuar, por që i kanë kushtuar taksapaguesve shqiptarë miliona euro që numërohen me treshifrorë. Sipas gazetarëve të pavarur, paratë thuhet se kanë përfunduar në xhepat e qarqeve të afërta me qeverinë, por edhe në mediat pranë tyre.
Edhe udhëtimet luksoze të Ahmetajt, me sa duket të financuara nga organizatorët e skandalit, në mënyrë të alternuar me gruan dhe të dashurën e tij, në hotelet me pesë yje të Milanos apo në Côte d’Azur, luajnë vetëm një rol periferik në këtë takim. Ai preferon të flasë për Edi Ramën.
Pra: Pas njëmbëdhjetë vitesh në pushtet, cili është faji i Ramës për faktin se Shqipëria është ende një nga vendet më të korruptuara në Evropë, sipas Transparency International, me gjithë financimet me miliarda perëndimore?
Ahmetaj fut puro të ftohur në tavëll dhe thotë për marrëdhënien e tij me Ramën, të cilin ndonjëherë e quan “Kim Jong Un” në aludim për diktatorin e Koresë së Veriut: “Nuk jam gati të bëhem koka e turkut e kryeministrit. Ai është përfituesi i reformës në drejtësi, e cila u financua nga SHBA-ja dhe BE-ja, tani ai po përdor gjyqësorin kundër kundërshtarëve të tij politikë dhe kundër të gjithë atyre që kundërshtojnë kërkesën e tij për pushtet”.
Ish-zëvendëskryeministri ka dyshime se sistemi Rama po tolerohet në heshtje në Perëndim: “Nuk e kam idenë pse evropianët nuk duan të shohin se çfarë po ndodh në Shqipëri. Ata kanë shërbime të shkëlqyera inteligjence që e dinë në detaje çfarë ndodh, veçanërisht për pastrimin e parave dhe krimin e organizuar”.
Ahmetaj konfirmon gjetjet e hetuesve, sipas të cilëve Shqipëria ishte kthyer në një narko-shtet të ushqyer nga trafiku i drogës gjatë mandatit të Ramës: “Përmbytja e vendit me kanabis nga viti 2014 deri në 2017 ishte axhenda e fshehur ekonomike e kryeministrit”. Rritja e krimit të organizuar, që ushqehet nga kjo, ka ndryshuar masivisht ekonominë dhe shoqërinë shqiptare: “Rama beson se ai ende kontrollon mjedisin kriminal, por tashmë është ai që kontrollohet”.
A po mbyllin sytë evropianët ndaj Ramës?
“Ursula von der Leyen e quan ‘i dashur Edi’”, ky është tashmë një sinjal,” thotë Frauke Seebass nga zyra e Fondacionit për Shkencë dhe Politikë në Bruksel: “Duhet ta shihni fenomenin Rama në një kontekst më të gjerë – nga BE-ja. Bëhet fjalë për një qasje të ngjashme me biznesin në përpjekje për të stabilizuar Ballkanin Perëndimor. Rama, ndryshe nga Aleksandar Vuçiç në Serbi, nuk konsiderohet antievropian. është shumë më komod; prandaj u vendos që ta mbyllin një sy, pse jo edhe të dy.”
A do të pasurohet Rama në kurriz të të tjerëve? “Nga perspektiva e Brukselit, kjo nuk është aq e rëndësishme,” thotë Seebass: “Aderimi i Shqipërisë në BE nuk është për debat në të ardhmen e afërt”.