Gjermania vijon kthimin e azilkërkuesve shqiptarë – rreth 365 kthehen këtë javë

E publikuar: 26/10/2015 22:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në një komunikim të mbrëmjes së të hënës, Ambasada e Gjermanisë në Tiranë ka bërë të ditur se kthimi i azilkërkuesve shqiptarë mbrapsht për në atdhe do të vijojë edhe gjatë kësaj jave.

Konkretisht, nga informacionet e bëra të ditura prej zyrës së Marrëdhënieve me Publikun të përfaqësisë diplomatike gjermane në Shqipëri mësohet se, ditën e martë më 27 tetori do të kthehen rreth 162 persona nga Gjermania, ndërkohë që një ditë më pas do të kthehen rreth 203 azilkërkues, raporton Tch.

Vetëm pak ditë më parë u bë e ditur se, qeveria gjermane po nxitonte të dëbonte azilkërkuesit e refuzuar, e për këtë qëllim mund të përdorte edhe avionët e mëdhenj të transportit të Bundeswehrit.

Deri më sot, kthimi i azilkërkuesve është realizuar me aeroplanë linje apo “charter”, ndërsa disa lande e kanë si rregull të mos kryejnë riatdhesime gjatë stinës së ftohtë. Megjithatë duket se, nga ky vit, një politikë e tillë nuk do të ndiqet më.

Pjesa më e madhe e parlamenteve rajonale janë shprehur pro organizimit të kthimeve edhe në muajt e dimrit, e në këtë pikë duket se nuk ka më asnjë mospërputhje mes tyre dhe qeverisë federale.