Në përgjigje të kërkesave në rritje të azilkërkueve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Ministria e Brendshme gjermane ka publikuar një video sensibilizueze.
Në filmimin e shkurtër, autoritetet gjermane informojnë të gjithë emigrantët për shanset e pakta që kanë për të përfituar azil dhe që për më tepër rrezikojnë edhe të penalizohen nëse nuk respektojnë rregullat e kthimit.
Video edukuese është një tjetër masë e ndërmarrë nga qeveria federale gjermane në bashkëpunim me vendet e origjinës për të adresuar fluksin e azilkërkuesve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi , Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Qëllimi i videos që zgjat katër minuta është ulja e numrit të emigrantëve, por edhe ndërgjegjësimi i tyre se udhëtimi drejt Gjermanisë, përpos kostove financiare ka vetëm një fund, atë të kthimit në atdhe.
Autoritetet gjermane iu bëjnë thirrje të gjithë azilkërkuesve të punojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre.
Të mos bien viktimë e trafikantëve dhe të mos besojnë në një parajsë që nuk ekziston, por të kontribuojnë për ekonominë e vendit të tyre.
Zyrtarë gjermane kanë bërë të ditur në mënyrë të përsëritur se asnjë qytetar, vendi i origjinës së të cilit është i sigurt, nuk përfiton azil.
Megjithatë vetëm në 2015 Shqipëria, Kosova dhe Serbia, rezultuan vendet me numrin më të madh të aplikuesve për azil në Gjermani.