Gjermania ndalon tubimet e subjekteve politike kosovare për zgjedhjet e 28 dhjetorit

E publikuar: 10/12/2025 12:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë, ka lëshuar një njoftim drejtuar kandidatëve për kryeministër dhe subjekteve politike për garën zgjedhore të 28 dhjetorit në Kosovë.

Ambasada, përmes këtij njoftimi, rikujton se ngjarjet zgjedhore nga zyrtarët e huaj në Gjermani ndalohen 3 muaj para zgjedhjeve

“Kandidatëve që do të marrin pjesë në Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare në Kosovë nuk iu lejohet organizimi i tubimeve të ndryshme në kuadër të fushatës më pak se tre muaj para zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Më tej thuhet se njoftimi i kumtuar nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë shërben si një rikujtim i këtij rregulli, duke pasur parasysh komunitetin e gjerë të kosovarëve që jetojnë dhe veprojnë në Gjermani.

“Duke pasur parasysh se kemi një diasporë të madhe kosovare në Gjermani, dëshirojmë t’u rikujtojmë të gjithë kandidatëve se, si rregull, ngjarjet e fushatave zgjedhore nga zyrtarët e huaj në Gjermani nuk lejohen në periudhën më pak se 3 muaj para zgjedhjeve”, shkruan njoftimi.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare mbahen më 28 dhjetor.