Kur Serbia të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, me Kosovën çdo gjë duhet të jetë e qartë, ka thënë sot ministri për BE në Ministrinë gjermane të Punëve të Jashtme Michael Roth, transmeton Koha.net.
Roth në intervistën për gazetën e Beogradit “Blic” ka theksuar se marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën para anëtarësimit në BE duhet që “juridikisht dhe detyrimisht të jenë të normalizuara”.
Ai ka thënë kështu duke u përgjigjur në pyetjen nëse Serbia është e detyruar ta njohë Kosovën para hyrjes në Bashkimin Evropian.
“Edhe Kosova e ka perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Nuk guxojmë të lejojmë importimin e konflikteve bilaterale. Normalizimi duhet të avancojë sepse me të përmirësohet jeta e përditshme e qytetarëve serbë dhe e kosovarëve”, ka thënë Roth.