Ndërkohë që mijëra shqiptarë nga Kosova po ju drejtohen Perëndimit për një jetë më të mirë, pyetja që shtrohet nga mediat gjermane është: “Ku shkuan miliardat e derdhura për shtetin kosovar?”.
Një emision kushtuar Kosovës dhe krizës në të cilën po kalon vendi, u përgatit më 12 mars nga televizioni publik gjerman ARD. Duke iu referuar eksodit ku mijëra shqiptarë nga Kosova nisen për në Gjermani për të punuar, në mënyrë që t’i largohen papunësisë dhe korrupsionit në vendin e tyre, emisioni “Kontraste” pyet pse vendi nuk ka bërë asnjë progres nga ndihmat e dhëna.
Gazetarët e emisionit “Kontraste” kanë bërë përpjekje për të gjetur përgjigjen për këtë dhe pyetje tjera shqetësuese nga realiteti kosovar. Ata ballafaqojnë zërat e qytetarëve nga Kosova dhe të ndërkombëtarëve, të përfaqësuesve të institucioneve si, EULEX-i dhe GIZ-i gjerman, lidhur me perceptimin se paratë ndërkombëtare që derdhen në Kosovë nuk e arrijnë destinacionin e tyre.
Sipas emisionit, organizatat e ndryshme ndërkombëtare, përfshirë edhe atë gjermane për kooperim dhe zhvillim (GIZ) ndajnë ndihma, fatin e të cilave nuk e ndjekin më tutje. Atyre u mjaftojnë raporte ose dokumente që flasin për “suksesin” e projekteve, pa shikuar efektin konkret të tyre në terren, ku gjendja mbetet po aq e mjerueshme sa ishte më parë.
Emisioni vendos në fokus edhe institucionet kosovare, që kujdesen kryesisht për luksin e ndërtesave dhe makinave të tyre dhe fare pak për të përmirësuar standardin e qytetarëve. Pavarësisht se emisioni hedh pak dritë mbi këtë çështje, në fund të tij pyetja vazhdon të mbetet e njëjtë: “Ku shkojnë ndihmat për Kosovën?”.