Policia gjermane tha se ka nisur një hetim për rastet e dyshuara të spiunazhit rus, pasi disa dronë u vunë re mbi disa instalime ushtarake në Bavari.
Në vazhdën e luftës së Rusisë në Ukrainë, nuk përjashtohet mundësia që instalimet ushtarake gjermane dhe kompanitë e mbrojtjes, të jenë duke u spiunuar nga dronët, tha Zyra Shtetërore e Hetimit Kriminal e Bavarisë.
Incidenti i fundit ndodhi të dielën vonë, kur një dron u pa mbi një bazë ushtarake pranë Manhingut, tha policia, duke iu referuar një objekti të gjerë, ku forcat gjermane testojnë avionë të rinj me pilot dhe pa pilot.
Dronët mbi këtë bazë u panë edhe gjatë tri ditëve në dhjetor, sipas policisë.
Një tjetër fluturim i paautorizuar ndodhi po atë muaj edhe mbi një instalim ushtarak në Nojburg an der Donau.
Policia federale e Gjermanisë, Bundeskriminalamt, i paralajmëroi kompanitë në dhjetor se mund të kenë sabotues rusë në mesin e punonjësve dhe kontraktorëve të tyre.
Rusia i mohoi këto akuza.
Kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Gjermanisë, Bruno Kahl, tha muajin e kaluar se aktet e sabotimit të Rusisë kundër objektivave perëndimore, mund ta shtyjnë NATO-n të thirret në Nenin 5 të traktatit të mbrojtjes.
Sipas këtij neni, nëse një anëtar i NATO-s sulmohet, anëtarët e tjerë të aleancës janë të detyruar ta ndihmojnë atë që të përgjigjet.REL