Deri tani shumëçka flet që vaksinimi kundër koronavirusit do të bëhet i detyrueshëm në Gjermani.
Kjo u përvijua edhe të mërkurën në debatin pasionant mbi tre orësh të deputetëve e parlamentit federal, Bundestagut. Ajo që është me të vërtetë e diskutueshme është vetëm grupmosha prej së cilës shtetasit do ta kenë me detyrim të vaksinohen.
Zyrtarisht në diskutim janë këto variante: vaksinimi i detyrueshëm për mbi 18 vjeçarët, vaksinimi i detyrueshëm për mbi 50 vjeçarët; një bisedë këshilluese, me detyrim, për vaksinimin; heqja dorë nga detyrimi për vaksinim.
Grupet më të mëdha parlamentare, që përfaqësohen edhe në qeveri, Socialdemokratët dhe Të Gjelbrit, e mbështesin një vaksinim të detyrueshëm. Kjo e bën me gjasa të forta miratimin e njërit nga variantet e projektligjit për vaksinimin me detyrim.
Nga grupet parlamentare të përfaqësuar në qeveri, të pavendosur janë kryesisht liberalët e FDP-së.Debatin Bundestagu e quajti “debat orientues”. Kjo pasi tema e vaksinimit me detyrim është temë shumë polarizuese në Gjermani. Qeveria federale madje për këtë temë hoqi dorë nga paraqitja prej saj e një projektligji Bundestagut, siç bën zakonisht.
Iniciativa iu la përfaqësuesve të popullit, deputetëve të Bundestagut. Qëndrimin e kujdesshëm të qeverisë e argumentoi në kanalin publik ZDF ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë, Karl Lauterbach. Ai tha se”ky është vendim i ndërgjegjes”, është „çështje morali”. “Këtu konfrontohen të drejta bazë”.
Autoritetet në Gjermani kanë deklaruar që mbrojtja e shëndetit të personave të tjerë apo edhe e komunitetit, në mënyrë që të evitohen rreziqet e epidemive, e justifikon ndërhyrjen në paprekshmërinë fizike të një personi, kur ndërhyrja është proporcionale.
Kjo u tha në dhjetor 2021, kur në Gjermani u vendos vaksinimi me detyrim për profesione të caktuara, siç është personeli mjekësor e sanitar. Atëherë u përshtat ligji ekzistues federal kundër infektimeve. Detyrimi për vaksinim për këto profesione do të hyjë në fuqi në 16 mars të këtij viti. Deri në këtë datë, personeli shëndetësor ka kohë që të vaksinohet vullnetarisht.

















