Ministri i Brendshëm i Bavarisë tha se 27-vjeçari kishte aktivizuar pajisjen për t’u vetëvrarë pasi i ishte refuzuar hyrja në festivalin muzikor. Rreth 2.500 persona u evakuuan nga vendngjarja pas shpërthimit. Bavaria ndodhet në gjendje alarmante dhe ankthi që prej tentativës së një terroristi për të vrarë me thikë disa persona në një tren, një sulm i marrë përsipër nga i ashtuquajturi Shtet Islamik, gjatë së hënës së kaluar.
Shpërthimi në Ansbach raportohet të ketë ndodhur rreth orës 22:10 të mbrëmjes jashtë lokalit “Eugens Weinstube” në qendër të qytetit. Ansbachu është shtëpi e rreth 40 mijë banorëve, por në të gjendet edhe një bazë ushtarake amerikane.
Një dëshmitar në vendin e ngjarjes, Thomas Debinski, tha se gjithçka u përfshi nga paniku pas shpërthimit, edhe pse disa persona menduan se ai ndodhi prej një shpërthimi bombole gazi. “Por disa njerëz që vinin nga pas na informuan se kishte shpërthyer një çantë shpine”, tha ai për “Sky Neës”.
Policia bëri të ditur se 3 prej të plagosurve ishin në gjendje të rëndë, ndërkohë që shërbimet e sigurisë rrethuan vendin e ngjarjes dhe qendrën e qytetit. Ekspertët e hetimit nisën punën për të zbuluar se çfarë lloj eksplozivi përdori atentatori.
Siriani kishte hyrë në Gjermani dy vite më parë dhe vitin e kaluar i ishte refuzuar kërkesa për azil, bëri të ditur ministri i Brendshëm bavarez, Joachim Herrmann. Atij i ishte dhënë leje për të qëndruar përkohësisht, në varësi të situatës në vendlindjen e tij, si dhe i ishte ofruar një apartament në Ansbach, shtoi Herrmann.
Ai u shpreh i zemëruar nga sulmi, gjë që tregon edhe njëherë “nevojën për të forcuar kontrollet ndaj atyre që kanë shkuar për të jetuar në vendin tonë”. Herrmann deklaroi gjithashtu se personi ishte i njohur për dy tentativa të mëparshme për vetëvrasje, teksa kishte kaluar disa kohë edhe në një klinikë psikike./tch/