Ne nji ambient jetojnë bashkë 50 persona. Fmi, gra, t’moshuem. Ambientet e jashtme të kampit, në periferi të nji qyteti gjerman, tregojnë se numri i të strehuemve mbrenda tij asht shumë i madh. Nga tualetet publike kanë shpërthye ujnat e zeza.
Mbrenda kampit, qinda shqiptarë mbajnë radhën me pjata në dorë për me marrë ushqimin e mëngjesit, i cili përbahet nga bukë, djathë e sallam, – raporton shqiptarja.com.
Megjithatë, pamvarsisht këtyne kushteve skandaloze, shqiptarët vazhdojnë me marrë parè borxh për me sigurue nji biletë për në Gjermani. E në vend që fluksi i shqiptarëve që emigrojnë paligjshëm në Gjermani me u ulë – edhe për shkak të kthimit të disa prej tyne që dëshmojnë për pamundësinë e marrjes së azilit apo edhe për kushtet e vështira të jetës në kamp, – ai ka ardhë tue u rritë. Por ambasadori gjerman në Tiranë e ka ba të qartë se të gjithë azilkërkuesit ekonomikë kanë me u kthye drejt vendeve të origjinës.
Por ndryshe duket se ndodh me zilkërkuesit nga Kosova. Gazeta gjermane Zeit shkruen se kohët e fundit ka nji ulje te numrit të azilkërkuesve nga Kosova. Gazeta citon drejtorin e Zyrës Federale për Emigracionin dhe Refugjatët, Manfred Schmidt, simbas të cilit, nga 1500 kosovarë në ditë që regjistroheshin gjatë Frorit mbrenda nji dite, ky numër ka ra deri në 100. Njerëzit po e kuptojnë se sistemi i azilit në Gjermani nuk mundet me qenë zgjidhje për situatën e randë ekonomike në Kosovë, – thotë Schmidt, simbas të cilit, te ulja e numrit ka ndikue bashkëpunimi me autoritetet e vendeve prej nga vijnë emigrantët.
Në Kallnor, numri i azilkëerkuesve kosovarë në Gjermani u rrit me 85% në raport me Dhetorin, tu’ shkue në 3630, ndërsa në Fror numri u dyfishue: plot 7000 aplikime për azil u banë nga kosovarët.
Zeit shkruen se për shkak të situatës së randë ekonomike në Kosovë, qysh prej Shtatorit të 2014, prej vendit me vetëm 2 milionë banorë, kanë ikë drejt vendeve të Europës Perëndimore ma shumë se 20 mijë qytetarë. Këtë e ka lehtësue edhe lejimi i kalimit nëpër Serbi – mbas përmirësimit të marrëdhanieve Prishtinë-Beograd.