25 Nëntori është Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave – një rast për të parë shifrat aktuale.
Në raportin vjetor i Policisë Federale Kriminale, prezantuar të enjten në Berlin bëhet e ditur se në vitin 2021 janë regjistruar 121 të vrarë ose të vdekur nga dhuna e ushtruar nga partnerët me të cilët jetonin nën një çati. 109 prej tyre janë gra, ndërsa 12 meshkuj.
“Gati çdo tre ditë vdes një grua nga dhuna e ushtruar nga partneri ose ish-partneri”, tha ministrja gjermane e Familjes, Liza Paus, në konferencën e shtypit me rastin e prezantimit të raportit.
Shifrat e dhunës së ushtruar nga partnerët janë shumë më të larta. Sipas statistikave të BKA-së, në vitin 2021 autoritetet kanë regjistruar gjithsej 143.604 persona të prekur nga dhuna e kryer nga partnerët apo ish-partnerët.
Krahasuar me vitin e parë të Koronavirusit 2020, numri është ulur me tre për qind. Megjithatë, tendenca e përgjithshme në vitet e fundit ka qenë në rritje: midis 2017 dhe 2021, numri i personave të prekur është rritur me 3.4 për qind. 80 për qind e viktimave janë gra.
Mbi 1000 dhunues nga Kosova
Termi dhunë në partneritet përfshin dhunën psikologjike dhe fizike. Në vitin 2021, 59.6 për qind e rasteve përfshinin lëndime të thjeshta trupore të qëllimshme – duke filluar nga një shuplakë ose e pështyrë.
Të dytat janë rastet e kanosjes, “stalking” (ndjekje) dhe shtrëngimeve (24,2 për qind) dhe në vendin e tretë lëndimet e rrezikshme trupore (12,2 për qind).
Shumica e autorëve janë me shtetësi gjermane, sipas raportit.
Por, ndër imigrantët që kanë pësuar dhunë në partneritet më së shpeshti janë shtetaset nga Kosova, me 997 të prekura, raporton DW.
Ndërsa numri i dhunuesve nga Kosova ka qenë 1049. /DW