Gjermania ka punësuar 8500 mësues për t’u mësuar fëmijëve të refugjatëve gjuhën gjermane. Sipas “Die Welt”, nga kjo do të përfitojnë 196 mijë fëmijë.
Rreth 196 mijë fëmijë nga vendet e varfra dhe ato në luftë do të futen në shkollë këtë vit. Gjermania ka përgatitur edhe 8264 klasa speciale për t’i ndihmuar ata që të mos ngelen prapa në mësime, por të arrijnë të njëjtin nivel si kolegët e tyre.
Zyrtarët e arsimit në Gjermani bëjnë të ditur se 325 mijë fëmijë të moshës shkollore kanë mbërritur në BE gjatë vitit 2015. “Sistemi arsimor kurrë nuk është përballur me një sfidë të tillë”,tha Brunhild Kurth, zyrtare e arsimit.
Ky vit është cilësuar si viti i krizës më të madhe të emigrantëve që pas luftës së dytë botërore. Gjermania priti më shumë se një milion azilkërkuesve këtë vit, shifër kjo pesë herë më e lartë se në vitin 2014. Në vend janë marrë një sërë masash për të ofruar shërbim për refugjatët.