Mustafa Nano
Përtej Atlantikut, në SHBA, janë duke debatuar lidhur me kufirin “plot vrima” në jugun e tyre, ku bëhet ndarja me Meksikën e ku hyjnë ilegalisht çdo vit mijëra vetë të ndjellë nga tingujt e sirenës me emrin “american dream”. Ka gjasa që, po të mos ishte për kandidatin presidencial të kampit konservator, Donald Trump, nuk do të ekzistonte ky fokusim i fortë te kjo çështje; dhe prandaj, ka të drejtë Trump-i që e pretendon këtë gjë. E vërteta është që nuk është folur kurrë për emigrantët ilegalë ashtu si, dhe aq sa, është folur këto javë. Por puna është se ai i jep problemit një zgjidhje gallatë të llojit ‘Deus ex machina’ (ku Deus-i është ai vetë): do Të ndërtojë një mur të lartë gjatë gjithë gjatësisë së kufirit, dhe do bëjë qeverinë meksikane të paguajë për shpenzimet e këtij muri!!!???
Në SHBA ekzistojnë mbi 10 milionë emigrantë ilegalë, e më shumë se gjysma e tyre janë meksikanë. Pjesa tjetër, me pak përjashtime, janë amerikano-jugorë, gjithashtu. Po pse ekziston ky shqetësim kaq i madh në një kohë që SHBA bëjnë pjesë te vendet që thithin çdo vit në mënyrë legale, për një ripërtëritje demografike, për brain gain e për nevoja të tregut të punës, emigrantë nga shumë vende të botës? Ky shqetësim ekziston më së shumti mes republikanëve, gjë që të bën ta shohësh si një qasje kulturore, d.m.th si një gjë të lidhur me frikën prej të huajve e të ndryshmëve dhe me pasionin konservator në mbrojtje të identitetit kombëtar. Përveç kësaj, shqetësimi në fjalë ka edhe një shpjegim shumë të thjeshtë. Të huajt, legalë apo ilegalë, “vjedhin” vende pune që normalisht do t’u takonin banorëve vendas. Dhe në fund, emigrantët ilegalë, për shkak të faktit që janë ilegalë e për shkak të vështirësive që gjejnë në përpjekjet për të bërë një jetë qoftë dhe dosido, janë më të prirë për të fqinjëruar me botën e krimit, dhe e kanë më të lehtë për t’iu vjedhur syve të policisë.
Kjo është me pak fjalë ajo që po ndodh në SHBA këto ditë. E parë me një palë sy europianësh, duket si një panik i kotë. Të huajt që shkojnë atje, në thelb, nuk janë edhe aq të huaj. Ok, flasin një gjuhë të ndryshme nga anglishtja, por kjo gjë nuk përbën ndonjë problem kushedi se çfarë në morinë e problemeve që krijon emigracioni legal apo ilegal. Meksikanët, apo edhe amerikano-jugorë të tjerë, nuk gjejnë vështirësi integrimi në planin politiko-kulturoro-fetar, e “nuk e njollosin civilizimin amerikan” me identitetin e tyre të origjinës, s’ka gjë se ky i fundit është disi i ndryshëm. Por disi amá. Është e sigurt se, sikur milionat e emigrantëve ilegalë të ishin myslimanë, në Amerikë do ishin duke u rënë borive të alarmit sikur të bëhej fjalë për ditën e kiametit. E Donald Trump-i do kish qenë ylli i padiskutueshëm i gjithë fushatës, përballë të cilit Hillary Clinton, Bernie Sanders, apo më shumë se një duzinë kandidatësh konservatorë do ngjanin si dordolecë pa vlerë.
Por në Europë ka një reagim të ndryshëm qoftë për arsye praktike (në kontinentin e vjetër ka me miliona myslimanë, tanimë), qoftë për arsye që lidhen me veçanti kulturore. Sigurisht, Europa ka Donald Trump-ët e vet, siç është hungarezi Victor Orban që refugjatët myslimanë “i dëboi me ceremoni” nga vendi i tij, apo edhe britaniku David Cameron që po pranon, me gjysmë zemre, një numër të kufizuar syresh, por gjermanët janë sjellë me një shpirtmadhësi që ka për të hyrë në histori. Ata e kanë hapur kufirin e tyre dhe po bëjnë thirrje që edhe të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Vendimi i Merkel-it ka gjetur mbështetjen edhe të mijëra qytetarëve atje.
Duket sikur në këtë mes nuk ka vend për ndërdyshje. Shkurt, janë gjermanët ata që po sillen ashtu si duhet. Refugjatët që u gjetën të vdekur në një kamion, refugjatë të tjerë që kanë humbur jetën në mes të detit dhe sidomos efekti që pati mbi opinionin publik trupi pa jetë i trevjeçarit nga Siria, tok me pamjet filmike që na kanë treguar mijëra refugjatë në një gjendje të pashpresë, nuk të lënë shumë hapësirë për të luajtur me “por”-e e “në qoftë se”-ra. Personalisht, përpiqem shumë për ta mirëkuptuar sjelljen e Orban-it, dhe frikën e tij që nuk janë krejt të pathemelta, e që në fakt nuk janë thjesht të tijat (janë të një pjese të rëndësishme të opinionit publik në Europë), por një gjë duhet thënë shpejt e shpejt: Nuk mund të vihesh në mbrojtje të qytetërimit europian, e aq më pak të botës së vlerave kristiane, nëse u kthen shpinën këtyre refugjatëve. Sa larg është ky qëndrim i Orban-it nga normat biblike që kërkojnë “ta duam fqinjin si veten, [sepse] ky është urdhërimi më i madh” (në Ungjillin sipas Markut, 12:31), apo deri edhe “t’i duam armiqtë, të lutemi për ata që na përndjekin, t’u bëjmë mirë atyre, t’u japim ç’kemi mundësi pa bërë hesape nëse kjo mund të na kthehet prej tyre në rrethana të tjera” (në Ungjillin sipas Lukës, 6:27-36, apo në Ungjillin sipas Mateut, 5:44)! Testamenti i Ri është i mbushur me mesazhe të tilla dashurie, përdëllimi e kompasioni.
Kjo hapje dyersh nga ana e gjermanëve mund të shërbejë si një leksion i madh për të gjithë myslimanët e botës, e mbi të gjitha për ata të Europës, sidomos për ata që gjatë gjithë këtyre kohëve nuk kanë ditur të bëjnë gjë tjetër, veçse të ushqejnë një lloj animoziteti e parehatie të tyren lidhur me qytetërimin perëndimor, në mes të të cilit ata kanë zgjedhur të shtyjnë mbi tokë këtë copë herë të jetës së tyre, që më pas, sipas asaj që u thotë besimi që kanë, do shtyhet përjetësisht në parajsë. Dhe këtu nuk e kam fjalën për ekstremistë e terroristë. Jo, e kam fjalën për ata myslimanë normalë që zgjedhin t’i bëjnë lutjet në ato xhami ku ndonjë imam predikon nevojën e zëvendësimit të Shtetit të së Drejtës me Sheriatin, për ata që nuk e ngrenë zërin në të gjitha ato raste kur të tjerë vrasin njerëz të pafajshëm në emër të fesë së tyre, për ata që nuk ua ka qejfi të theksojnë se këtë që bëri Gjermania me refugjatët do duhej ta kishin bërë, pavarësisht rreziqeve të kuptueshme, edhe Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Kuvajti, Bahrejni, që janë vende që notojnë mbi luks e begati, për ata që nuk do ta bënin kurrë një masakër si ajo që u krye mbi gazetarët e Charlie Hebdo-s, por që s’e kanë pasur për gjë të thonë se “mirë i gjeti, se u tallën me profetin Muhamet”, për ata që fëmijëve të tyre u japin identitet mysliman (dhe mirë bëjnë; është punë e tyre kjo), por që në të njëjtën kohë nuk inkurajojnë asnjë përpjekje të këtyre fëmijëve për t’u integruar në jetën e vendeve ku ata jetojnë, për ata që vajzat i mbulojnë me perçe qysh në moshë të njomë, për ata që perçen do donin ta vinin mbi fytyrën e çdo gruaje të kësaj bote, dhe në fund për ata që Kuranin ua ka qejfi ta lexojnë e interpretojnë germë për germë, edhe kur Kurani u thotë se “të shpëtosh një jetë njeriu është si të kesh shpëtuar gjithë njerëzimin” (sureja 5:32), edhe kur u thotë se “kush e braktis fenë myslimane është i dënuar me vdekje” (sureja 4:88-89), pa e kuptuar se ky lexim germë për germë do t’i mbajë gjithëherën të alienuar në këtë botë. Përfytyroni sikur të krishterët ta lexonin Biblën e tyre germë për germë, dhe për rrjedhojë “të gjuanin me gurë derisa sa ta linin top të vdekur një njeri që mbledh një dorë shkarpa për t’ia hedhur zjarrit ditën e pushimit” (Për ata që nuk e dinë, në Testamentin e Vjetër thuhet se “kush bën punë ditën e shtatë të javës, qoftë dhe ai që ndez zjarrin në shtëpi, duhet të vritet”; kjo thuhet në kapitullin ‘Exodus’, 35:2-3).
Sjellja e Europës ka qenë në lartësinë e vlerave që ajo mbron këtë herë (nuk është se Europa sillet gjithnjë kështu; madje, edhe këtë herë, jo të gjitha vendet, siç nënvizova, janë sjellë njësoj), por në të njëjtën kohë, qeveritë, shtetet e shoqëritë perëndimore do bënin mirë të mos lëshonin asnjë çikë nga terreni i këtyre vlerave. Ka ndodhur që nën panikun e atentateve terroriste dhe me qëllimin për t’u dhënë prova tolerance e mirëkuptimi myslimanëve të tyre, një pjesë e elitave politike e kulturore të kontinentit kanë shprehur gatishmërinë për të sakrifikuar edhe ndonjë vlerë, siç është fjala vjen ajo e lirisë së shprehjes. Një numër politikanësh dhe intelektualësh të Europës nuk janë menduar dy herë kur kanë bërë me faj edhe viktimat e akteve të ndryshme terroriste, të cilët “kanë abuzuar” me lirinë e shprehjes, sepse e kanë përdorur këtë liri shprehjeje për të përqeshur e për të fyer besimtarët e një feje të caktuar. Dhe nuk kuptohet se si u ikën nga mendja që liria e shprehjes është një arritje kolosale në historinë e njerëzimit, dhe se ajo liri ka kuptim veç si liri për t’u ngritur kundër autoritetit, dhe me “autoritet” kuptohen doke, zakone, mendësi, besime, institucione, ligje, krerë institucionesh, fe, krerë fetarë, Libra të Shenjtë, profetë, deri dhe Zoti. Është pikërisht kjo që ka ndodhur në harkun e shekujve të fundit në këtë cep të tokës, dhe është kjo gjë, përveç të tjerash, që ka ndihmuar të ngrihet kjo lloj Europe, ku do donin të jetonin miliona njerëz nga anë të tjera të kësaj bote, përfshirë dhe myslimanë, sidomos myslimanë, të cilët e marrin rrugën për në Europë duke futur në preventivin e udhëtimit edhe jetën e tyre.
Në këtë pikë nuk është Europa që duhet të tërhiqet. Jo, janë besimtarët myslimanë që duhet të mësohen të mos lëndohen prej lirisë “abuzive” së shprehjes, pasi liria e shprehjes veç kështu ka kuptim, kur është “abuzive”. Ndryshe, ç’kuptim do kishte? Ndryshe, do t’i binte që të thoshim gjëra, me të cilat biem dakord që të gjithë. Mirëpo, për këtë nuk lipset liri shprehjeje. Lipset gatishmëri për t’iu nënshtruar autoritetit. Këtë presin myslimanët që të gjejnë në Europë? Jo, po të ishte për këtë, rrinin atje ku janë.