Njëri prej themeluesve te LDK-së, profesori Rexhep Gjergji, tha se LDK është sot në një nga momentet e veta më të zeza, sepse diçka e nisur keq nuk mundet me mbaru mirë.
“Aklamacioni ishte mekanizmi më i mirë që e përdoren për me i kontrollu delegatet që ma herët ishin shantazhuar dhe kërcënuar prej këtij lidershipi”, tha ai.
Gjergji në Televizionin Rrokum theksoi se u pamundësua ndërrimi eventual i rregullores, për të siguruar rizgjedhjen e Isa Mustafës, edhe pse Kuvendi e ka autoritetin për ta ndërruar Statutin, Rregulloren e krejt çka duhet.
“Në Kuvendin e LDK-së kishte gjithçka, veç demokraci jo”, tha Gjergji. “Pa pikë turpi u lanë në dorën e punëtorëve të sigurimit njerëz që kanë kontribuar në LDK tash e 25 vjet, edhe në kohët më të vështira”, tha Gjegji. “Me mbete jashtë Donika Gërvalla është jashtëzakonisht e rëndë. Këta drejtues janë bukëshkalë!
Sipas tij, Mustafa ka luajtur gjithmonë në hije, pa qenë kurrë anëtar i LDK-së.
“Ai ka rol ne zhdukjen e pareve te 3-përqindëshit në Diasporë. Me ra LDK nga Ibrahim Rugova te Isa Mustafa, e nga Fehmi Agani te Ismet Beqiri, nuk ka ilustrim ma t’keq”, tha ai.