Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjenerali Milan Mojsiloviq, është takuar sot në Beograd me kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, admiralin Rob Bauer, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Serbi.
Diskutimet në takim kanë trajtuar situatën aktuale të sigurisë në rajon dhe marrëdhëniet reciproke në mbarë botën dhe në përgjithësi, duke u fokusuar në bashkëpunimin ndërmjet FA të Serbisë dhe KFOR-it, raporton Klankosova.tv.
Mojsiloviqi është ankuar në lidhje me ofrimin e mbështetjes për Ushtrinë e Kosovës nga ana e vendeve anëtare të NATO-s.
“Ofrimi i mbështetjes për zhvillimin e të ashtuquajturës ‘Forca e Sigurisë së Kosovës’ nga disa vende të NATO-s, veçanërisht ato që kanë kontingjente në kuadër të KFOR-it, nuk është në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara ndërkombëtare dhe nuk kontribuon në uljen e tensioneve dhe ruajtjen e paqes në territorin e Kosovës dhe Metohisë”, citohet të ketë thënë Mojsiloviqi.
ndërkaq, Admirali Bauer ka theksuar se “Republika e Serbisë, duke qenë një lider rajonal veçanërisht në fushën e sigurisë, është një partner i rëndësishëm për NATO-n”, dhe ka shtuar se “Aleanca Veriatlantike mbetet e hapur për nivelin e zgjedhur të bashkëpunimit nga ana e Serbisë”.
Sipas komunikatës së lëshuar nga FA të Serbisë, thuhet se admirali Bauer ka shfrytëzuar rastin “të falënderojë gjeneralin Mojsiloviq për bashkëpunimin e ngushtë dhe profesional ndërmjet Forcave të Armatosura të Serbisë dhe KFOR-it për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë”.