Gjenerali amerikan Grynkewich: Investimet në mbrojtje duhet të kthehen në aftësi të vërteta

E publikuar: 17/09/2025 20:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar deklaratën e Gjeneralit Alexus Gregory Grynkewich, Komandant i Komandës Europiane të SHBA-ve dhe Komandant Suprem i Forcave Aleate për Europën, gjatë konferencës së Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Kartës së Adriatikut (A5) 2025, e mbajtur në Tiranë.

Gjenerali theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet kombeve për të siguruar që rritja e shpenzimeve në mbrojtje dhe modernizimi ushtarak të përkthehen në kapacitete reale.

“Duhet të punojmë së bashku për të siguruar që këto investime të shndërrohen në aftësi të vërteta. Kjo kërkon përqendrim të vazhdueshëm në përmirësimin e ndërveprueshmërisë, ndërtimin e gatishmërisë dhe zhvillimin e marrëveshjeve mbështetëse,” u shpreh Grynkewich.

Ai u shpreh optimist pas diskutimeve të zhvilluara në konferencë, duke theksuar se objektivat e përbashkëta janë të arritshme përmes bashkëpunimit të ngushtë dhe përkushtimit të ndërsjellë në fushën e mbrojtjes.