Gjenerali Kadri Kastrati ka vlerësuar se viti 2015 ka qenë i pasuksesshëm për shtetin e Kosovës në aspektin e sigurisë.
Ai ka thënë se sfidë kryesore ka qenë mos transformimi i Forcës së Sigurisë në Forcë të Armatosur. Sipas tij, as në vitin 2016 nuk pritet që Kosova të bëhet me Ushtri.
Problemi më i madh, shton ai, ka qenë shkuarja e të rinjve të Kosovës në ISIS, shkruan Epoka e Re. Në këtë kontekst, ai ka deklaruar se Kosova nuk është vend i sigurt dhe mund të jetë cak i sulmeve terroriste për arsye se është vendi i katërt në botë me numrin më të madh të pjesëtarëve në këtë grupacion terrorist.
Kastrati ka thënë se Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë duhet t’i rrisin masat e sigurisë dhe duhet të rrisin vigjilencën në çdo aspekt.