
Kandidati për kryeministër nga koalicioni për Kosovën Fituese dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se sulmet nga eksponentë të pushtetit ndaj tij e konkretisht kontestimi i gradave ushtarake, po bëhet pasi që ai me opozitarizmin e tij thotë “ia hoqi maskën pushtetit”.
Hardadinaj në një intervistë për gazetën online Reporteri.net, po ashtu tha se qeveritarët po e përdorin këtë gjuhë ndaj tij sepse janë të nervozuar nga ajo që po shohin në tubimet elektorale, që sipas tij nuk është “ashtu siç kanë dashur”.
“Vlerësimi im për drejtimin e marrë nga Qeveria, nga Kurti , pastaj veprimet e tyre ishte se ishin në dëm të Kosovës, ishin mashtrim i shprehjes së atij besimi. Kuptohet se si opozitar e ndjeva për detyrë me ballafaqu me atë mashtrim, pastaj me identifiku gjenezën e këtij mashtrimi, edhe kuptohet me e lidhë me të kaluarën. Kësisoj për një kohë të caktuar unë e kreva detyrën e opozitarit, me ja hjek masën këtij, me ja hjek maskën kësaj qeverie dhe njëkohësisht me ja hjek qeben, pra simbolikën e qebes se këta rrënjët ose lidhjet me armiqtë tanë i kanë, ose ato po shprehen në punë. Në fillim kjo u mendua si e paefektshme nga vetë pushteti. Pas një kohe e filluan në ballafaqim me mua e tani së fundi hetohet se e kanë një tronditje në situatën e vetë. Kur po shkojnë në terren po e shohin se nuk e kanë gjendjen si kanë dashtë me e pas, po shohin se qytetarët e kanë zbuluar këtë mashtrim edhe vetvetiu po shprehin nervozë. Kjo u shpreh te mashtruesi, pra kryeministri që po shkon. Pra me sjelljet e tij, me mimikat e gjestet që po i bënë, edhe te ministrja e jashtme me këto sulme. Me thënë të drejtën ata nuk e kanë problem pse thonë të pavërteta.”, u shpreh ai.
Haradinaj foli edhe për rastin e titullit të tij si gjeneral brigade dhe se si i mori gradat.
“Gjeneral brigade quhet gjenerali me një yll atë e kam nga UÇK, që është nder i madh për mua. Ndërsa kuptohet edhe si komandant i TMK-së në Prozren dhe më pas si zëvendëskomandat i përgjithshëm i TMK-së në Prishtinë. Ndërsa yllin e dytë që i shtohet paletës e kam nga NATO, pra përmes përfaqësuesit më të lartë të NATO’s në atë kohë, komandantit të KFOR-it gjeneralit Rajnhard, që është gjerman, prej vendit ku është rritur zonja dhe më është dhënë në një seancë publike në Parlamentin e Kosovës.”, u shpreh ai.