Nevoja për restaurimin e palestrës sportive “Bashkim Selishta – Petriti” në Gjilan, është shqetësim i madh i sportistëve gjilanas. Madje, ky problem është adresuar qindra herë në komunën e Gjilanit, por edhe në media.
Ajo është konsideruar si njëra ndër palestrat, e cila nuk i ka përmbushur asnjëherë kërkesat e sportistëve për zhvillimin e aktiviteteve të tyre. Aty, tani e një kohë të gjatë mungojnë gjërat elementare, duke filluar nga higjiena, gëlqerosja, ventilimi i ajrit, e shumë elemente të tjera, përcjellë Infosot.
Muret si brenda objektit dhe jashtë tij janë me shënime nga më të ndryshme, ulëse të thyera, ambient i ndotur, tualete pa kushte funksionale, pllaka të thyera, mos-rrespektim i rregullatores së palestrës, është ajo që shihet nga fotografitë e siguruara nga infosot.
Duke u bazuar në Rregulloren për mënyrën dhe kushtet e përdorimit të kësaj palestre, pirja e duhanit dhe alkoolit brenda objektit janë të dënueshme, dhe dëmtimet e shkaktuara gjatë stërvitjeve dhe zhvillimit të ndeshjeve duhet të kompensohen.
Por si duket kjo rregullore nuk është respektuar aspak.
Gjatë viteve, janë bërë tentativa të ndryshme për të siguruar kushte më të mira për sportistët që e shfrytëzojnë këtë palestër, por gjendja aktuale sipas fotografive të realizuara nga një lexues i Infosot, lë ende për të dëshiruar.
Përndryshe, Projekti i komunës, i cili është i miratuar në MEPT dhe i gatshëm për tenderim, do t’ia sjellë Gjilanit palestrën e renovuar sportive, moderne e që i akomodon nevojat e sportistëve. Të paktën kështu kishte siguruar ish-kryetari i kësaj komune Lutfi Haziri, nëntorin e vitit të kaluar.