Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, është kritikuar për deklaratën e tij se Adolf Hitler “nuk i ka përdorë armatimet kimike në Luftën e Dytë Botërore”.
Duke u shprehur për sulmin e dyshuar të javës së kaluar me gaz nervor sarin, nga ana e forcave të presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, zëdhënësi Spicer tha mbrëmë se “ne e kemi dikë të neveritshëm sikur Hitleri, i cili madje nuk është zhytur në përdorim të armatimit kimik”.
Por, lideri nazist i ka përdorë dhomat e gazit për t’i shfarosur hebrenjtë, kundërshtarët politikë dhe të tjerët.
I pyetur për t’i qartësuar komentet e tij, Spicer në konferencën për gazetarë tha se “mendoj se kur kemi të bëjmë me gazin sarin, Hitleri nuk e ka përdorë gazin kundër popullit të tij në mënyrën që këtë po e bën Assadi”.
Më tutje, ai u përpoq t’i qartësoj komentet e tij në një deklaratë të shkruar, ku thuhej se “në asnjë mënyrë unë nuk jam përpjekur ta ulë natyrën e tmerrshme të Holokaustit”, në të cilin në mënyrë sistematike u vranë afro 6 mijë hebrenj në gjithë Evropën.
“Jam përpjekur ta tregoj një dallim të taktikës së përdorimit të aeroplanëve për të hedhur armatim kimik kundër qendrave të banuara”, tha Spicer.
Ai më vonë ka kërkuar falje për referencën “intensive dhe jopërkatëse” për Holokaustin gjatë një interviste për rrjetin CNN.
“Ishte gabim që të bëhej kjo…Ishte gabim i rëndë i imi”, tha Spicer.