Një sasi droge është gjetur mbrëmë nga Policia Kufitare e Turqisë në një autobus shqiptar, që transportonte 40 anëtarë të Forumit Rinor Socialist Shqiptar.
Autobusi ishte nisur nga Tirana në drejtim të Stambollit, duke kaluar më parë mes për mes Greqisë.
Droga është zbuluar në pikën doganore të Ipsala-s, që ndodhet në kufirin mes Greqisë dhe Turqisë.
Studentët që ishin pjesë e FRESSH shoqëroheshin në këtë udhëtim, të cilësuar si turistik, nga nënkryetari i Forumit, Artur Micko, i cili është njëkohësisht edhe drejtor i Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
Policia Kufitare turke ka arrestuar menjëherë shoferin e autobusit, ndërsa janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje 40 studentët dhe Micko.
Të gjithë personat që ishin si pasagjerë janë shoqëruar në Drejtorinë Doganore të Antikontrabandës dhe Narkotikëve.
Ndërsa shoferi është arrestuar në kushtet e flagrancës, duke u transportuar menjëherë në qelitë e paraburgimit.
Siç shkruajnë mediat shqiptare, autoritetet turke kanë vënë në dijeni edhe Konsullatën Shqiptare atje, zyrtarë të së cilës u treguan të rezervuar në lidhje me atë që kishte ndodhur në kufi.
Nga ana tjetër, policia turke ende nuk ka vendosur nëse do të arrestohet ndonjë person tjetër, përveç shoferit të autobusit.