Dy piktura të Van Goghut, të vjedhura në Amsterdam më shumë se një dekadë më parë, janë gjetur në Itali pas një operacioni të gjerë policor, që shënjestronte krimin e organizuar.
“Pamje deti në Scheveningen”, e krijuar në 1882-shin, dhe “Kongregacioni që i largohet kishës së reformuar në Nuenen”, e 1884-tës, ishin fshehur në njërën prej shtëpive të një trafikanti ndërkombëtar droge në Castellammare di Stabia, pranë Napolit.
“Kur i pamë aty nuk po u besonim dot syve”, tha një zyrtar lokal për gazetën italiane “La Repubblica”.
Autenticiteti i pikturave është konfirmuar tashmë nga ekspertët e Muzeut të Van Goghut, ku veprat e rralla të artit u vodhën në vitin 2002. Drejtori i muzeut, Axel Rütger nuk e pohon dot me siguri, nëse ato do të kthehen tani shpejt në Holandë, pasi mund të përdoren si prova në proceset gjyqësore.
“Pas një kohe kaq të gjatë, nuk guxoja as ta çoja nëpër mendje se do të gjendeshin ndonjëherë. Kemi pritur14 vite për këtë moment dhe sigurisht do të donim t’i sillnim menjëherë në shtëpi. Por do të na duhet të bëjmë durim. Jam i bindur se do të kemi mbështetjen e autoriteteve italiane”, tha Axel Rütger, drejtor i Muzeut “Van Gogh”, në Amsterdam.
Gjatë jetës së tij, piktori i madh dhe tepër i avancuar për kohën e vet nuk shiti veçse një pikturë, “Vreshtën e kuqe”. Sot veprat e tij vlerësohen me çmime marramendëse, që mbërrijnë në miliona dollarë.
Piktura “Plazhi i Scheveningen”
Piktura “Dalja nga Kisha protestante e Nuenen”
Policia italiane duke bërë publike pikturat e vjedhura që i janë sekuestruar mafias napolitane