Këtë javë në Uashington, Shtetet e Bashkuara dhe Mali i Zi nënshkruan një marrëveshje mirëkuptimi për të çuar përpara bashkëpunimin strategjik ekonomik ndërmjet dy vendeve në fushën e energjisë, infrastrukturës, digjitalizimit dhe turizmit.
Gjatë takimeve me zyrtarët amerikan, zëvendëskryeministri i Malit të Zi Nik Gjeloshaj paralajmëroi Shtetet e Bashkuara për aktivitete destabilizuese siç tha ai, “të strukturave klero-nacionaliste” që synojnë dëmtimin e perspektivës evropiane të Malit të Zi.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Gjeloshaj thotë se në vendin e tij ka përpjekje për të penguar integrimin evropian, por deri më tani ato janë vetëm në nivel retorike.
Ai thotë se përkundër dallimeve të partnerëve të koalicionit qeverisës, i cili përfshin parti me orientim pro-serb dhe pro-rus, deri më tani Mali i Zi ka zbatuar një politikë të jashtme dhe të sigurisë që përputhet me Bashkimin Evropian, përfshirë për sanksionet ndaj Rusisë dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.