Gjashtëvjeçarja goditet nga vetura në sheshin e Prishtinës, flet prindi i saj

E publikuar: 15/05/2022 21:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një vajzë e moshës gjashtëvjeçare është goditur nga një veturë në sheshin “Nënë Tereza” mëngjesin e së dielës.

Vajza me këtë rast ka marrë lëndime trupore dhe personi që e ka goditur me makina ka ikur nga vendi i ngjarjes.

Për Klankosova.tv ka folur prindi i saj Vërshim Kastrati.

Ai tha se tani gjendja e vajzës është më e mirë por se ka ende shqetësime emocionale.

“Gjendja e vajzës është e mirë por ka shqetësime emocionale”.

Kastrati tregon se si e ka marrë lajmin për rastin kritik.

“Ishim me bashkëshortën duke pirë kafe. Fëmijët duke u vozitur me biçikleta. Ne i kemi lënë fëmijët aty duke menduar se nuk ka vetura dhe nuk na ka shkuar mendja e mund të ndodhte kjo. Djali ka ardh me vrap dhe mezi fliste. Nga larg e kemi parë se janë grumbulluar shumë njerëz dhe fillimisht nuk e kemi ditur se është vajza jonë”.

Prindi i gjashtëvjeçares thekson se është i shokuar me rastin.

“Jam shokuar. Nuk e di as si ka ndodhur, Çka na kanë treguar disa dëshmitarë, ai personi e ka lënë një grua në një nga hotelet dhe dy herë i ka rënë asaj rruge domethënë nga “Swiss Diamond” e poshtë deri tek shtëpia e shëndetit. Ata na thanë se pasi e ka goditur vajzën ka shikuar për pak sekonda dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes me shpejtësi të madhe”.

“Ata na thanë se vetura ka qenë e tipit BMW dhe regjistrimin e ka pasur 03”.

Ai thotë se deri më tani nuk ka ndonjë informacion se dikush lidhur me rastin është arrestuar.

“Ende s’kemi ndonjë informacion se dikush është arrestuar lidhur me rastin. Jam i zhgënjyer, edhe pak bëhen 12 orë dhe asgjë”./Klankosova