Dhoma Kombëtare Tregtare, ka dhënë rekomandimet për dy Qeveritë për lehtësira për biznes pas konsultimeve që kanë pasur me bizneset shqiptare nga të gjitha viset. Përfaqësuesit e saj nga Shqipëria, Kosova dhe nga trevat shqiptare kanë kërkuar përkrahje me qëllim të zhvillimit më të fuqishëm ekonomik.
Agim Shahini, president i Dhomës Kombëtare Tregtare, tha se janë gjashtëmbëdhjetë propozime të DHKT-së për Qeverinë e Shqipërisë dhe atë të Kosovës për mbledhjen e përbashkët të tyre me 23 mars në Tiranë.
“Këto propozimet bëhen me qëllim që të bëhen hapa të rëndësishëm për rritjen e bashkëpunimit ekonomik me dy vendeve tona”, tha Shahini.
Presidenti i DHKT-së dha propozimet: që të publikohen në faqe zyrtare, lista e detajuar e produkteve të gatshme dhe repromaterialeve, ambalazhimeve që importohen në Shqipëri dhe Kosovë, në sasi, që mundë të shërbejnë si ide bazë për tu qasur prodhimit të ri dhe zgjerimit të kapaciteteve të prodhimit ekzistues. Ku vend të veçantë duhet të zënë produktet ushqimore dhe bujqësore, por edhe të tjera.
I pari i Dhomës Kombëtare Tregtare, këkroi që të trajtohen produktet e prodhuara në Shqipëri e Kosovë si produkte me prejardhje nga këto dy vende, pra çdo prodhim të jetë i pajisur me EUR 1. Ky është model më i avancuar në raport me marrëveshjen CEFTA.
Duhet të hiqen taksat doganore në lëndë të parë, repromateriale dhe ambalazhime për të gjitha produktet dhe nga të gjitha shtetet, përveç nëse këto lëndë të parë, repromaterial dhe ambalazhime ka sasi të mjaftueshme në këto dy shtete.
“Të pranohen dokumentet zyrtare të organeve kompetente të dy shteteve, si të doganave dhe organeve tjera të kontrollit të kualitetit dhe cilësisë”, tha presidenti DhKT-së Agim Shahini.
Ai kërkoi po ashtu që të implementohen arkat fiskale në të dy shtetet, si aktivitet që paraqet një kulturë blerëse dhe barazim në mes akterëve ekonomik të kategorive të njëjta.
Kërkohet të luftohet informaliteti dhe korrupsioni si dukuri negative të shoqërisë kombëtare.
Të hiqet dorë nga ndikimi politik dhe individual nga organet e drejtësisë, prokurimit publik, të kontrollit dhe kompanive publike.
Të trajtohen bizneset të barabarta dhe jo politika selektive dhe
favorizuese apo të grupeve të interesit, sepse kjo e dëmton konkurrencën e drejtë.
Luan Bregasi, zëvendës president i Dhomës Kombëtare Tregtare, dha propozimet tjera që të krijohet ambienti ligjor dhe pako e re investuese për prodhimtari rentabile dhe mbushje të qëndrueshme të buxhetit shtetëror.
Propozim ishte që radiotelevizionet publike të jenë në funksion të promovimit të prodhimtarëve të dy shteteve në funksion të ngritjes së informimit për sasinë dhe cilësinë që nxjerrin këto prodhimtari.
Luan Bregasi, kërkoi që planifikimi i eskurzioneve të gjeneratës së re të nxënësve, në të dy shtetet ku në planprogramin e tyre të jenë edhe vizitat e ekonomive prodhuese dhe këta të jenë pionier të gjenerimit të konsumit të produkteve kombëtare.
“Të identifikohen dhe mbështeten Top kompanitë mbarëkombëtare që të bëhen brende të njohura me qëllim të eksportit për vendet e BE-së dhe më gjerë, tha zv. presidneti i Dhomës Kombëtare Tregtare.
Ramiz Kelmendi, anëtar i DhKT-së dhe pronar i ELKOS-it, numroi propozimet tjera, ku kërkohet të dizajnohet një program i ri i lidhjeve zinxhirore: prodhuesve-përpunuesve dhe qendrave tregtare në mes vendeve mbarëkombëtare, psh. përpunues nga Kosova- prodhimi final- Shqipëri dhe tregu – qendrat tregtare dhe anasjelltas në këtë rast të njihet Certifikata EUR 1.
Kelmendi, tha se duhet të subvencionohen produktet me lirim të TVSH-së për 2 % për një periudh katër vjeçare, që janë të prodhuara në Shqipëri dhe Kosovë, me qëllim të ngritjes së interesit për të konsumuar dhe tregtuar me këto produkte kombëtare.
Të promovohen produktet kombëtare në trevat mbarëshqiptare, rajonale, evropiane dhe më gjerë.
Të pranohet nga dy qeveritë nga një përfaqësues i Dhomës Kombëtare Tregtare si vëzhgues në mbledhjet e rregullta qeveritare.
Përfaqësuesit e Dhomës Kombëtare Tregtare, kanë kërkuar nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Kosovës Isa Mustafa që këto 16 propozimet ti marrin me seriozitet dhe ti realizojnë e zbatojnë në praktik.