Në ceremoninë e rastit, u tha se procesi i ankandit ka qenë i hapur dhe transparent, duke siguruar kushte të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se investitorët e interesuar kanë dorëzuar ofertat e tyre, të cilat Ministria e Ekonomisë i ka vlerësuar në mënyrë të drejtë dhe profesionale.
“Sot shpalosëm gjashtë kompani ose konsorciume që kanë dorëzuar ofertat e tyre për ndërtimin e impiantit solar në Kosovë prej 100 megavatesh. Gjatë procesit përmes përgjigjeve në më shumë se dhjetë raundeve të sqarimeve jemi siguruar që të udhëheqim një proces të drejtë dhe të hapur, ku të gjitha palët janë të mirinformuara. Deri tani me përkrahjen e USAID-it, kemi zhvilluar një proces të drejtë konkurrues me transparencë të plotë dhe mund të themi lirisht se kemi bërë një proces shembull për rajonin”, u shpreh Rizvanolli.
E pas fazës së parë, Rizvanolli tha se do të ketë edhe fazë të dytë por në mënyrë elektronike, ku ofertuesi me çmim më të ulët do të shpallet fituese.
“Në fazën e dytë do të organizohet një ankand elektronik, ku kompanitë ose koncersiumet e kualifikuara do të kenë mundësinë që të ulin çmimin e tyre fillestar, duke garuar me njëra-tjetrën dhe në fund ofertuesi që ka dorëzuar çmimin më të ulët në përmbyllje të ankandit të fazës së dytë, do të shpallet fituese. Pranimi i këtyre ofertave sot, nga investitorë serioz dhe me eksperiencë në fushën e energjisë së ripërtrishme duke përfshirë këtu edhe kompanitë serioze nga vendi e diaspora, na bën tejet të lumtur dhe e shohim si një rezultat i një pune të palodhshme të Ministrisë së Ekonomisë por jo vetëm”, u shpreh ajo.