Besohet se njerëzimi modern (Homo sapiens) ka origjinën në Afrikë, në mes të 150 mijë dhe 200 mijë vjet më parë, të cilët më pas u shpërndanë në Eurazi diku pas 65 mijë vjetësh. Ndryshime të shpejta klimatike dhe mjedisore ndodhën në Afrikë në mes të viteve 80 mijë e 70 mijë BP (para kohës së tashme), shkruan sot Koha Ditore.
Kjo është pika fillestare prej së cilës njerëzit zhvilluan tërësisht vlerat etike në shoqëri pa pushtet shtetëror, i cili do të ishte garantues duke u mundësuar njerëzve që të mbajnë paqe dhe rend në komunitetin e tyre.
Çka është vlera etike në shoqëri pa pushtet shtetëror? Mund të shihet në vlerat etike të Kanunit, të cilat i kanë pasur fiset në bjeshkët e Shqipërisë. Pjesa veriore e Shqipërisë përbëhet nga terrene të larta malore me gryka të thella. Njerëzit në këtë rajon, të cilët flasin në dialektin gegë, i kanë ruajtur strukturat fisnore derisa diktatori shqiptar, Enver Hoxha, i shkatërroi pas Luftës së Dytë Botërore. Bjeshkët e larta në veri kanë qenë subjekt fisnor i kodit zakonor të quajtur Kanun që nga mesjeta. Kanuni është transmetuar gojarisht mes klaneve shqiptare deri kur ati françeskan, Shtjefën Gjeçovi e hartoi kodin i cili u botua pas vdekjes së tij, në vitin 1933, me titullin “Kanuni i Lekë Dukagjinit”.