Gjashtë autobusë nga Mitrovica me rreth 300 mbështetës të ‘Vetëvendosjes’ dhe partive tjera opozitare, janë nisur të organizuar rreth orës 12:00 drejt Prishtinës.
Ata do t’i bashkohen protestës së sotme gjithëpopullore në kryeqytet, ndërsa kanë bartur flamuj kombëtarë.
Faruk Mujka, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, ka bërë të ditur për KosovaPess se qytetarët nga Mitrovica përveç me autobusë, kanë shkuar edhe me automjetet e tyre, por edhe në forma tjera.
“Me masovitet do t’i tregojmë qeverisë se qytetarët nuk janë në pajtim me marrëveshjet e nënshkruara dhe mënyrën e qeverisjes së tyre”, ka thënë Mujka.
Ai ka mohuar mundësinë që protesta e sotme gjithëpopullore të kthehet në dhunë.
Në anën tjetër, Shkëndije Halimi, qytetare, tha se do të protestojë sot në Prishtinë kundër asociacionit, demarkacionit dhe kundër qeverisë, siç e quajti ajo antikushtetuese.
“Duhet patjetër ta rrëzojmë këtë qeveri, e cila që 16 vite ka dëshmuar se është vetëm në dëm të këtij vendi”, tha ajo.