Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, në emisionin “Ekonomia me Erëzën” të transmetuar mbrëmë në KTV, ka lëshuar akuza të rënda ndaj Muhamet Mustafës, deputetit të LDK-së.
Gërxhaliu ka thënë se Mustafa po përpiqet që ta shkatërrojë Odën Ekonomike të Kosovës duke e përdorur fuqinë e tij si kryesues i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik.
Mustafa, sipas Gërxhaliut, është duke u përpjekur që të ndryshojë ligjin për Odën Ekonomike në mënyrë që kësaj organizate t’i humb fuqia që e ka.
“E them këtë duke u bazuar në faktin se kryetari i Komisionit Parlamentar për Zhvillimin Ekonomik, Muhamet Mustafa, ka thënë që suksesi më i madh i tij në karrierë pas vitit 99 është shkatërrimi i Odës ekonomike”, ka thënë Gerxhaliu.
Por Gërxhaliu thotë se Mustafa nuk ka pasur dhe nuk do të ketë sukses në ambicien e tij për shkatërruar OEK-në.
“Unë mendoj që Oda kurrë nuk ka qenë më e fuqishme se sa që është tani”, ka shtuar Gërxhaliu.