Gërxhaliu e Prokuroria s’komentojnë akuzat e Gashit për “rastin Asanaj” (Video)

E publikuar: 07/08/2015 21:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Avokati Tomë Gashi ka bërë akuza të rënda kundër udhëheqësit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu.

Në Interaktiv në KTV-së, Gashi ka thënë se ndoshta me qëllim Gërxhaliu ia ka huqur dy herë në dy raste, rastin e Dino Asanajt dhe Hamdi Sopës.

Ndërkaq, lidhur me këto akuza nuk ka dashur të flasë Arsim Gërxhaliu. Ai ka thënë se është në pushim dhe se nuk parapëlqen t’i komentojë këto deklarata.

Sipas Tomë Gashit, hetimet për vrasjen e Asanajt duhet të rinisin, pasi që ai ishte në krye të “privatizimit të gjysmës së Kosovës”.

Zyrtarë të Prokurorisë së Shtetit, të kontaktuar nga KTV-ja, nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës.

Ndërkaq, avokati Tomë Gashi, ish-këshilltar i Hashim Thaçit, kur ky ishte kryeministër në mandatin e parë, foli edhe për mosthemelimin e Speciales herën e parë në Kuvend.

Ai tha se e tëra ishte lojë e shefit të PDK-së për të ngritur pazarin. Derisa është i bindur se në riprocedimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend kishte shkelje procedurale.

Ai po ashtu ka thënë se Sylejman Selimi e Sami Lushtaku janë dënuar pa bazë dhe në mënyrë politike.