Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka folur për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.
E pyetur nëse më 16 maj do të vendoset në rend dite të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës pika për anëtarësimin e Kosovës, Gërvalla ka thënë se shanset janë 50/50.
Kryediplomatja ka deklaruar se nuk mund të flasë me siguri nëse do të vendoset dhe ka potencuar se sa janë të mëdha shanset për t’u vendosur, janë po aq të mëdha për të mos u vendosur.
“Nuk mund t’iu them as a vendoset a .. është 50/50. Sa janë të mëdha shanset që të vendoset, aq janë të mëdha shanset edhe që të mos vendoset”, ka thënë Gërvalla.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar tashmë se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës po kushtëzohet me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kurti, tha javën e kaluar se qeveria e tij nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke cilësuar “absurd” një kushtëzim të tillë.
Kurti tha se Kosova e meriton anëtarësimin në KiE pasi plotëson standardet e kërkuara, por shtoi se kërkesa për Asociacionin, si kusht për t’i hapur rrugë Kosovës drejt KiE-së, është absurde dhe joparimore. Kurti u shpreh i zhgënjyer edhe me aleatët e Kosovës, teksa tha nuk e mendonin që shtetet që kanë qenë përkrahëse të Kosovës drejt çlirimit dhe pavarësimit, do të ishin pengesë për rrugën drejt KiE-së.
Këshilli mblidhet këtë javë pritej që të votonte për kërkesën e Kosovës, e cila muajin e kaluar mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, duke nxitur besimin në Prishtinë për përmbushjen e këtij synimi dhe zemërimin në Beograd.
Disa nga vendet perëndimore, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, e shndërruan në kusht për votën e tyre hedhjen e hapave konkretë nga Kosova për themelimin e Asociacionit, në bazë të një projektstatuti të hartuar nga diplomatë perëndimorë që iu dorëzua palëve në tetor të vitit të kaluar.