Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka njoftuar për përmbylljen e diskutimeve treditore në kuadër të njërit prej proceseve më të rëndësishme reformuese në sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Sipas saj, në këto diskutime kanë marrë pjesë përfaqësues të sistemit gjyqësor dhe prokurorial, institucioneve relevante, organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë, ku është avancuar pakoja e projektligjeve që burojnë nga Deklarata e Përbashkët e Zotimit.
“Kjo nismë, e filluar në vitin 2023, ka rezultuar me përgatitjen e gjashtë projektligjeve që kanë të bëjnë me kontrollin e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vlerësimin e performancës së tyre, sistemin disiplinor dhe kontrollin e pasurisë, si dhe me Akademinë e Drejtësisë dhe nëpunësit civilë të administratës së gjykatave dhe prokurorive”, ka bërë të ditur Gërvalla.
Ajo theksoi se finalizimi i kësaj etape të reformës pritet të ketë ndikim thelbësor në forcimin e sistemit të drejtësisë në vend.
“Finalizimi i kësaj etape të reformës do të ndikojë në mënyrë thelbësore në forcimin e palëkundur të sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës, që ka në epiqendër qasjen në drejtësi për qytetarin dhe integritetin e profesionalizmin e institucioneve të drejtësisë”, u shpreh ajo.
Ministrja nënvizoi se përmes këtyre ndryshimeve, për herë të parë adresohen çështje të rëndësishme si shkarkimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve për mungesë performance dhe profesionalizmi.
“Përmes këtyre akteve, për herë të parë adresohet çështja e shkarkimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve për mungesë pune dhe profesionalizmi, kategorizohen dhe saktësohen shkeljet disiplinore dhe, po ashtu, për herë të parë rregullohet me ligj vlerësimi i performancës së tyre”, theksoi Gërvalla.
Ajo shtoi se gjashtë projektligjet janë pjesë e agjendës së reformave në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian dhe se së shpejti do të procedohen për miratim në Qeveri dhe Kuvend.
“Si Ministre e Drejtësisë, jam plotësisht e përkushtuar për finalizimin dhe jetësimin e kësaj reforme, për të garantuar një sistem me standarde të reja profesionale, në shërbim të çdo qytetari”, shtoi ajo.



















